/Fjala e Nehat Osmanit, anëtarit të Kuvendit Komunal (KK) të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në seancën e sotme të KK-së/
Është e pa imagjinueshme sa punë, sa djersë dhe sa përkushtim por mbi të gjitha sa sakrifice nevojitet për të finalizuar një sukses të plotë – dhe këtë sukses e rrumbullakësuan futbollistët e Dritës, shtabi teknik dhe kryesia e klubit.
Është e paimagjinueshme sa guxim, sa vetëmohim dhe sa flijim dëshmuan “Intelektualët”, ata 100 spartanët e patrembur, ata qindra të pa thyer mbi ballkonet e pullazet e shtëpive dhe ata mijëra të tjerë jashtë fushës për të shprehur dashurinë e madhe për klubin e tyre të zemrës, për qytetin e tyre – dhe këtë ata e bënë në mënyrë unikale, këtë ata e bënë ashtu sikur askush në Evropë nuk e bënë.
Është e paimagjinueshme sa emocione, sa mburrje dhe sa krenari përjetuan turma e pakufishme e qytetarëve të ekzaltuar para teatrit të qytetit për këtë ëndërr të jetësuar.
Kësaj ëndrre që vështirë të transmetohet tek të tjerët, si ndjenjë e trashëgimisë, kulturës e traditës në frymën siç e bartën përmes brezave, siç e kuptimësuan emrin Dritë, siç e bënë të gjallë e të përjetshme sloganin “NE ME DRITËN JEMI RRITË”.
Një analogji me vetë neve këshilltarët këtu, për misionin që kemi dhe për mundësitë që mbartim.
Në mënyrë që të arsyetojmë pritshmëritë e qytetarëve tanë dhe në mënyrë që të zhvillojmë e ndërtojmë qytetin tonë. Kemi një shembull të mire – Dritën.
Ta ndjekim pra edhe ne të zgjedhurit e popullit rrugën e sportistëve tanë ngase shpeshherë sporti arrin të depërtojë atje ku imagjinata e politikanëve madje as nuk mund të konceptoj, ngase shpeshherë sporti arrin majat ku as shtizat më të mprehta nuk shtegtojnë. Në mënyrë që NE këshilltarët të shënojmë kohën tonë dhe të përmbushim betimin tonë, në mënyrë që fëmijët tanë për neve të thonë ate që Drita dhe “Intelektualët” gjithherë për vete thonë:
“NEVE GJYSHËRIT NA E KANË LËNË E NE NIPËRVE T’UA LËMË”
Me bindjen e plotë se edhe kjo seancë, edhe ky kuvend meritoi të filloj punën e saj me këtë përgëzim të veçantë të sportistëve tanë, UROJ në emër të të gjithë këshilltarëve, KF”Drita” dhe gjithë atë armatë të tërë që kontribuuan në këtë sukses që nderoi qytetin dhe qytetarët tanë.