Ministria e Pushtetit Lokal nesër pritet të dalë me një vlerësim rreth shkeljeve në miratimin e statuteve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministrja Edita Tahiri duke vënë në pah se qeveria do të marrë masa nëse statutet janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës.
Duke pritur që ky proces të ketë bazë ligjet e vendit, Tahiri, ka theksuar se në bazë të procedurave ekziston afati ligjor për korrigjime dhe plotësime. Në një deklaratë për media, zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se në bazë të informacioneve zyrtare të ekipeve monitoruese të qeverisë gjatë seancave në katër komunat veriore është konstatuar se në përmbajtjen e statuteve ka parregullsi dhe në këtë pikëpamje dallohet Mitrovica e Veriut, e cila ka një përmbajtje të statutit më të përafërt me ligjet e Kosovës.
Organet e reja komunale kanë dalë nga zgjedhjet lokale, të cilat janë mbajtur konform ligjeve të vendit dhe sipas marrëveshjes së Brukselit, e cila shumë qartë e përcakton se organet komunale duhet të funksionojnë sipas ligjeve të Kosovës. Në këtë drejtim, vë në pah Tahiri, çfarëdo veprime që janë jashtë ligjit, nga Qeveria do të konsiderohen jolegale dhe sigurisht në rast të skenarit më të keq do të merren veprime konform ligjit dhe kushtetutës.