“Në përkujtim të heroizmit dhe veprave të heronjve të cilët dhanë jetën në mbrojtje të lirisë, Flakën e Janarit e nisim nesër me homazhe nga Varrezat e Dëshmorëve, për të vazhduar drejt lapidarëve në qytet dhe aktiviteteve të larmishme kulturore”, ka bërë me dije, Alban Hyseni kryetar i Komunës së Gjilanit.
Ai shtoi se do ta hapin edicionin e 32-të të manifestimit mbarëkombëtar kulturor “Flaka e Janarit”, në nderim dhe kujtim të të gjithë atyre që kanë bërë sakrificën përfundimtare në shërbim të vendit të tyre, me risi në strukturën organizative të tërësisë së manifestimit, transmeton 2LONLINE.com.
“Bashkohuni me ne në nderim të sakrificës së heronjve tanë të pavdekshëm. Bashkohuni me ne në “Flakën e Janarit”, ka thënë i pari i Gjilanit.
Përndryshe, për të reflektuar për guximin dhe trimërinë e atyre që dhanë jetën në mbrojtje të lirisë, 32 vjetori i Flakës së Janarit nis në ora 08:00 me homazhe duke u nisur nga Varrezat e Dëshmorëve drejt të lapidarëve në qytet në ora 09:00, vizitë familjeve te heronjëve Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Kadri Zeka, për të vazhduar në vizitë të Kazermës së Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Edicioni i parë i “Flakës së Janarit” u nis më 18 Janar 1992 në trekëndëshin Bresalc-Gjilan-Përlepnicë, të cilat do të vizitohen dhe këtë vit duke e nisur nga ora 10:00 në Mejtepin e Bresalit, objekt nën mbrojte të trashëgimisë kulturore me historinë e tij si pikënisje e Flakës së Janarit, ku në kujtim të nismës së këtij manifestimi kulturor do të shfaqen video dhe ekspozitë fotografike dokumentuese dhe një program artisitik në kujtim të Flakës ndër vite, për të vazhduar nga ora 11:30 në Përlepnicë për të vizituar pjesën e dytë të ekspozitës fotografike, dokumentar dhe program artisitik.
Nga ora 15:00 bashkohuni me ne në koncertin për fëmijë në sheshin ‘Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha’ ku do të performojnë:
Kori i fëmijëve nga Shkolla e Muzikës Gjilan nën dirigjimin Prof.Artan Jerliu Piano: Prof. Hajrije Bislimi
Vallëzim Popullor nga nxënësit e Shkollës së mesme të ulet ‘Nazim Hikmet’ Përgatitur nga Prof. Ganimete Sermaxhaj.
Vallëzim modern – Fëmijët e IP Dardania Gjilan
Muzikë – Zërat e bardhë të shkollës ‘’Hello Academy of Education’’.
Ndezja e flakadanëve për nder të heronjve në simbolikë të rilindjes, çlirimit nga errësira e guximit do të fillojë nga ora 18:00 në ballkonin e Teatrit të Qytetit me muzikë kamertale nga Kori i Universiteti ‘Kadri Zeka’ nën udhëheqjen e Prof. Dr. Drita Kryeziu dhe nga Varrezat e Dëshmorëve me fillim nga ora 19:00 do ndizen 32 flakadanë si simbolikë për 32 vjetorin e “Flakës së Janarit”, të cilët do defilojnë deri në qendër të qytetit për të kujtuar se guximi dhe sakrifica e heronjve nuk do të harrohen kurrë dhe se trashëgimia e tyre do të vazhdojë të jetojë.
Ditën e përmbyllim me muzikë për të rinj, Korab Kallaba me bend dhe DJ me fillim nga ora 20:00 në hapësirën e Ish-Galerisë së Qytetit. /2LONLINE/