Organizuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, asociacion alternativ i shkrimtarëve të Kosovës me seli në Gjilan dhe I mbështetur nga Komuna e Gjilanit, të shtunën në Gjilan, në sallën e Teatrit të Qytetit, me fillim në ora 12:00, shënohet 40 vjetori i shkuarjes në amshim të atdhetarit dhe poetit gjilanas, Rexhep Elmazit.
Ne Akademinë Përkujtimore , si nderim për figurën e tij letrare e atdhetare, do të paraqitet dhe libri i posabotuar PSHERËTIMË SHIU, me zgjedhje poezish nga trashëgimia poetike e Rexhep Elmazit dhe parathënie të prof.dr. Anton Nikë Berishës.
Auditorit të Akademisë Përkujtimore do t’i drejtohet me një fjalë rasti, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Më pas, nga njerëz të thirrur, përveç për veprimtarinë e tij letrare ku pritet të flasin, Anton Nikë Berisha e Hasan Bunjaku, do të flitet edhe për veprimtarinë e tij atdhetare nga kryetari I Shoqatës së ish të burgosurve politikë të Kosovës, Hydajet Hyseni e rektori I Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi.
Njëkohësisht do të deklamohen edhe poezi të Rexhep Elmazit, përmes aktorëve Ramadan Kurti e Xhezide Selimi.