/2L ONLINE/ – Të rinjtë e Kosovës kanë mbetur të anashkaluar për shkak të papunësisë, e cila është më e larta në rajon, si dhe për shkak të një pasigurie ekonomike, sociale dhe politike që mbretëron në vend. Popullata e Kosovës, skajshmërisht po përballet me situata të vështira, madje edhe ekzistenciale. Vendi ynë karakterizohet si popullata më e re në Evropë, rini e shëndetshme dhe e aftë për punë, por mungesa e perspektivës ka bërë që të ndihen të pasigurt për të sotmen dhe të nesërmen e tyre.
Ëndrrat e tyre për studime, sakrificat e tyre studentore, mbeten vetëm iluzione të hidhura,pasi pjesa më e madhe, kur mbarojnë studimet themelore apo te nivelit Master, mbeten pa punë duke bredhur rrug ëve apo shkojnë të ngushëllohen nëpër kafeteritë e stërmbushura, të cila tregojnë vetëm mjerimin e një vendi.
Në vorbullën e mjerimit migjenian të një shoqërie të papërgjegjshme, papunësia sigurisht që mbetet dhe një shqetësim i madh psikologjik. Kjo dukuri, e cila e shqetëson me vite rininë shqiptare shndërrohet gradualisht në një shoqëri krimi dhe shoqëri depresive.
Shumica prej tyre humbin motivimin dhe fillojnë gradualisht të dorëzohen nga vet jeta. Nga ky problem i rëndë social, si për femrat, ashtu dhe për meshkujt, më të viktimizuarat mbetet gjinia femërore, kur shpesh u kërkohet që t’u plotësojnë punëdhënësve apo eprorëve kërkesat e ndryshme të kënaqësive seksuale. Kurse tek meshkujt ndodhë e kundërta kushtëzohen me para.
Rast konkret për ta pare më mire, qoftë dhe vizualisht kishim kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelilin i cili për një vend pune i kërkoi favor seksual 20 – vjeçare.. Raste të tilla sigurisht që ka me bollëk, vetëm nuk janë shfaqur.
Këto ndodhin në gjyqësor, në arsim, shëndetësi etj. Në të shumtën e rasteve një vend pune blihet me para, por në pamundësi të parave, vendi i punës këmbehet me anën seksuale. Janë dy anët më negative korruptive që kanë zënë kupolën qeveritare.
Në kuptimin e mirëqenies shëndetësore, si popullatë e dalë pas tmerreve të luftës, është dashur ta kuptojmë seriozisht ndikimin psikologjik dhe të situatave stresogjene, që në mënyrë të organizuar të trajtohemi në frymë institucionale.
Stresi i vazhdueshëm, dorëzimi, demoralizimi, mungesa e faktorëve motivues, pritjet e gjata, shkaktojnë ankth dhe gjendje depresive, kështu rrisin dhe nxisin në nivel akoma me të lartë dhe sëmundjet e tjera.
Po ashtu gjendja ekonomike e një vendi ka dhe ndikim social. Mungesa e mjeteve financiare prek dhe vlerat kulturore të një komuniteti. Në një vend ku nuk është e zhvilluar kultura, shëndetësia, niveli i arsimimit, padyshim nuk mund të ketë rini të shëndoshë e as të ardhme të mirë. /2L ONLINE/