Gratë deputete të Kuvendit të Kosovës, janë nervozuar me një vendim të kryeparlamentarit Jakup Krasniqi pasi ky i fundit ka refuzuar një kërkesë të tyre për t’u siguruar transport për udhëtim në Shqipëri.
Kërkesa ka të bëjë me një organizim që Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar për Ditën e Gruas – 8 Marsin, ku të ftuara kanë qenë edhe deputetet e Kuvendit të Kosovës. Më të marrë vesh për vendimin, kanë shpërthyer edhe reagimet e grave, të cilat e kanë quajtur këtë veprim të Krasniqit skandaloz dhe jo të drejtë, shkruan Tribuna
Njëra nga to deputetja e LDK-së, Alma Lama, ka thënë se ato janë ftuar si deputete nga Kuvendi i Shqipërisë ndërsa ka shtuar se nuk e kupton refuzimin që u ka bërë Kuvendi i Kosovës. Madje ajo këtë vendim të kryeparlamentarit e ka quajtur skandal diplomatik.
“Ky vendim i kryetarit të Kuvendit është skandal diplomatik sepse në përgjigje ndaj Kuvendit të Shqipërisë kanë thënë se këtë organizim nuk e konsiderojnë vizitë zyrtare ose aktivitet të Kuvendit.Ky në fakt është aktivitet sepse bëhet fjalë për bashkëpunimin parlamentar dhe asnjë nga ne nuk është e ftuar privatisht por në cilësinë e deputeteve. Nëse kjo nuk është zyrtare, atëherë si mund të jetë zyrtare marrje e veturave zyrtare për udhëtimet e tyre në aktivitete të ndryshme”, ka thënë Lama.
Ajo ka sqaruar se gratë nuk kanë kërkuar mëditje, vetëm transport por çështjen e mëditjeve, sipas saj, e ka përfshirë protokolli sipas rregullore.