‘Sot është nënshkruar vendimi për Procedurën dhe Kriteret e Lëshimit të Lejes së Qëndrimit për të Huajt”, ka bërë me dije zëvendësministri në detyrë, Izmi Zeka.
“Ky vendim iu mundëson qytetarëve të huaj e në këtë rast edhe qytetarëve të Luginës së Preshevës të pajisen me dokumente të Republikës së Kosovës. Për fushën konkrete në lidhje me shtetasit e huaj, grupet punuese kanë punuar në Ligjin për të Huaj i cili tani më është amandamentuar në Parlamentin e Republikës se Kosovës dhe me këtë ligj kemi mbuluar të gjitha elementet konkrete që do të rregullojnë statusin e të huajve të cilët qëndrojnë brenda Republikës së Kosovës”, ka thënë Zeka.
Ai shtoi se ky ligj i ka obliguar që të hartojnë Udhëzimin Administrativ, me të cilin përcaktohet qartë procedura dhe kriteret e pajisjes me lejen e qëndrimit për të huajt.
“Gjithashtu një numër i madh i shtetasve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, të cilët jetojnë brenda në Republikën e Kosovës si dhe të gjithë shtetasit tjerë të huaj pa dallim do të mund të aplikojnë për tu pajisur me dokumente të rregullta, në mënyrë që ta legjitimojnë qëndrimin e tyre Për qëllimin më të mirë së pari në aspektin e sigurisë Nacionale, pastaj për evidentimin dhe regjistrimin e të gjithë personave, janë caktuar të gjitha kriteret me ketë Udhëzim Administrativ”, thotë Zeka.
Shtetasit e huaj të çdo komuniteti do te përfitojnë lejet e qëndrimit të përhershme, qe janë me afat 5 vjeçar, dhe pas këtij 5 vjeçari kanë të drejte të aplikojnë për ta fituar shtetësinë e Republikës se Kosovës.
Me dokumentin e përhershëm, të gjithë këta persona i gëzojnë të gjitha të drejtat e barabarta me qytetarët e Republikës se Kosovës.