Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC) dhe gjimnazit “Gimnazija” në Kamenicë, në vlerë prej 100 mijë eurosh.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari Kastrati, drejtoresha e programit ASSET, Valmira Haxhaj-Gushlla dhe zëvendësdrejtori i gjimnazit “Gimnazija”, Ivan Arsiq.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe nënkryetari i Komunës së Kamenicës, Bojan Stamenkoviq si dhe Drejtoresha për Arsim, Ismete Thaçi.
Kjo marrëveshje ka për qëllim ofrimin e hapësirave dhe aktiviteteve, që do të rrisin shkathtësitë e të rinjëve për punësim dhe njohuritë për karrierë.
KEC, punon në partneritet me FHI 360 e Crimson Capital Corp dhe janë duke zbatuar programin për përkrahjen e adoleshentëve pas mësimit të rregullt ( ASSET), ndërkaq e gjithë kjo financohet nga USAID.
ASSET-i është iniciativë pesë vjeçare e dizajnuar që të zhvillojë shkathtësi për punësim dhe ndërmarrësi tek të rinjtë.
Kryetari Kastrati falënderoi përfaqësuesit e KEC-it për bashkëpunimin dhe USAID-in për financimin.