Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me delegacionin e tij nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, po qëndrojnë në vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, me ftesë nga ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yasar Guler.
Takimi i dy ministrave të mbrojtjes filloi me pritje ceremoniale ushtarake, ku ky takim u përmbyll me nënshkrimin e Marrëveshjes Ushtarake Kornizë, me anë të së cilës pritet thellimi i bashkëpunimit ushtarak në shumë drejtime.
Shkëmbimi i personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimi në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimi shëndetësor i pjesëtarëve të FSK-së në Turqi, ishin disa nga çështjet të cilat ministrat diskutuan, e që përmes marrëveshjes së nënshkruar i hapet rrugë procesit për realizimin e tyre.
“Krahas lidhjes kulturore ndërmjet dy shteteve tona, tashmë ekziston një bashkëpunim i ngushtë në aspektin ushtarak, me qëllim që së bashku t’i kontribuojmë ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, theksoi ministri Maqedonci. /2LONLINE/