Është nënshkruar marrëveshje për ofrimin e shërbimeve gjinekologjike në QKMF-në e Kamenicës.
Shërbimet shëndetësore-gjinekologjike nga QSKUK do të ofrohen përmes angazhimit të një mjeku specialist të gjinekologjisë në QKMF, ku këto shërbime do të ofrohen tre ditë të javës nga katër orë për qytetarët.
Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati tha se ky memorandum ka një rëndësi të veçantë për qytetarët e Kamenicës dhe që së shpejti do të funksionalizohet objekti i Gjinekologjisë i cili është duke u ndërtuar, që gratë e Komunës së Kamenicës nuk do t’iu duhet të udhëtojnë për në Gjilan e Prishtinë për të realizuar kontrollet gjinekologjike.
Kastrati ka thënë se në Komunën e Kamenicës dy herë ka dështuar konkursi për punësimin e një gjinekologu për shkak të mungesës së të interesuarve.
Ai ka falënderuar për bashkëpunimin Ministrinë e Shëndetësisë, Drejtorin e Përgjithshëm të ShSKUK-së, ish-Drejtorin e Shëndetësisë, ish-Drejtorin e QKMF- dhe Drejtoreshën e tanishme të Shëndetësisë .