Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, priti sot në takim Drejtorin e Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës “INFRAKOS” , Agron Thaqi, Përfaqësuesin e Asociacionit Kosovar të Motorizimit (AMRKS), Muhamed Krasniqi dhe Majorin e Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi.
Me qëllim të sensibilizimit dhe ngritjes së nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor në Kosovë, Ministri Pal Lekaj, bashkë me përfaqësuesit pjesëmarrës në takim, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi, duke harmonizuar edhe më shumë tërësinë e gjitha masave të mundura, për një komunikacion sa më efikas dhe të sigurtë.
Meqë viti 2018 është shpallur si vit i sigurisë në trafikun rrugor, ndërmarrja e një hapi të tillë, siç është nënshkrimi i memorandumeve me INFRAKOS-in dhe AMRKS, luan një rol tejet të rëndësishëm në zgjerimin e përmasave të sigurisë.
Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar për herë të parë një marrëveshje të tillë, e cila sipas Ministrit Lekaj, ka një ndikim pozitiv në sigurinë e qytetarëve, duke krijuar kështu standarde të cilat minimizojnë aksidentet dhe fatkeqësitë në komunikacion. Në prononcimin e tij dhënë mediave, Ministri Lekaj sqaroi vizionin dhe politikat zhvillimore të Ministrisë së Infrastrukturës, të cilat përveç ndërtimit të infrastrukturës rrugore, participojnë edhe sigurinë me sinjalizim, pa të cilën, lëvizja e lirë e qytetarëve do të shndërrohej në kaos.
“Ministria e Infrastrukturës ka marrë për obligim që të krijojë standard edhe në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, por edhe në sinjalistikë dhe ndriçim, të cilat me të vërtetë i kanë munguar rrugëve tona. Po ashtu, sa i përket hekurudhave, në vizionin tonë dhe në politikat tona zhvillimore, si Ministri e Infrastrukturës, e kemi për qëllim që të ndihmojmë dhe për herë të parë po bëhet një marrëveshje, e cila do të parandalojë që të mos shkaktohen aksidente nga mosveprimi ynë. Sot jam mjaft i lumtur që bëmë një marrëveshje mirëkuptimi, e cila me të vërtetë ka një impakt pozitiv te qytetarët, për bartjen e buxhetit dhe nisjen e procedurave për sanimin e gjendjes dhe pikave të dobëta, të cilat mund të përmirësohen me nënkalime në hekurudha”, deklaroi Ministri Lekaj.
Ministri Lekaj gjithashtu afirmoi rëndësinë që ka ky bashkëpunim me INFRAKOS-in dhe AMRKS-në, duke i vënë theks të veçantë implementimit të strategjisë së sapofirmosur.
E në anën tjetër, Drejtori i INFRAKOS-it, Agron Thaqi, e cilësoi këtë iniciativë si shumë profitabile për qytetarët, duke thënë se buxheti i ndarë nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, është një buxhet jo shumë i madh, por i cili mund të shpëtojë jetëra njerëzish. Drejtuar mediave, Thaqi tha: “Nuk është një buxhet shumë i madh që sot po ndahet, por është një buxhet i cili do të shpëtoj jetët e njerëzve. Me këtë synojmë që t’i eliminojmë aksidentet me fatalitet duke i dhënë prioritet sigurimit të linjave hekurudhore”.
Edhe Përfaqësuesi i Asociacionit Kosovar të Motorizimit, Muhamed Krasniqi dhe Majori i Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi, u zotuan para mediave në përmbushjen e obligimeve të tyre, karshi kësaj marrëveshjeje.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Ministria e Infrastrukturës së bashku me INFRAKOS, AMRKS dhe Policinë e Kosovës, nga tani e tutje, do të kenë një afrimitet edhe më të madh me qytetarët dhe shfrytëzuesit e rrugëve në vendin tonë.