Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Saranda Bogujevci, gjatë qëndrimit në Francë, zhvilloi sot një takim me nënkryetaren e parë të Asamblesë Kombëtare të Francës, znj. Valérie Rabault.
Në këtë takim të përzemërt, të dy nënkryetaret diskutuan lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë në shumë segmente dhe për perspektivën evropiane të saj.
Nënkryetarja Bogujevci falënderoi homologen franceze për mbështetjen që Franca ka dhënë për Kosovën në kohë dhe rrethana të ndryshme, duke theksuar nevojën e vazhdimit të kësaj mbështetjeje si dhe rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit midis dy parlamenteve respektive.
Znj. Bogujevci dhe znj. Rabault u fokusuan në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, duke trajtuar po ashtu çështje që lidheshin me të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës e tema të tjera me interes të përbashkët.
Gjatë takimit nënkryetarja Bogujevci shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, z. Mehdi Halimi. /2LONLINE/