Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare, priti sot në takim delegacionin e Komisionit të Partneritetit për Demokraci të Kongresit të ShBA-së.
Në takim u diskutua për mundësinë dhe hapat për themelimin e Institutit Parlamentar për Hulumtime, Bibliotekë dhe Arkiv, mbështetur nga Komisioni i Partneritetit për Demokraci i Kongresit të ShBA-ve, si dhe nga NDI, duke trajtuar tutje mundësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale.
Duke i shprehur mirëseardhje në Kuvendin e Kosovës, nënkryetarja Bogujevci falënderoi delegacionin e Kongresit përkrahjen e vazhdueshme që SHBA-të i kanë dhënë jo vetëm Kuvendit, por edhe shtetit të Kosovës.
Nënkryetarja Bogujevci theksoi gjithashtu se partneriteti ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Nga ana e delegacionit të Kongresit Amerikan, ish-kongresmeni Mike Bishop theksoi se hulumtimi në demokraci dhe në ditët e sotme është shumë i rëndësishëm dhe se delegacioni është këtu për të ndihmuar Kuvendin e Kosovës në këtë drejtim.
Kryetari i GP të LDK-së, Arben Gashi, duke dhënë një kronologji të zhvillimeve në vendin tonë, theksoi se tanimë gjendemi në një fazë ku shihet nevoja e ndërtimit të një baze të mirë ligjore. Sipas tij, themelimi i këtij instituti është i mirëseardhur, me anën e të cilit do të studioheshin praktikat e jashtme dhe nevojat e brendshme në hartimin e ligjeve sa më cilësore.
Abelard Tahiri nga GP i PDK-së theksoi se roli i SHBA-ve është shumë i rëndësishëm në ndërtimin e sistemit demokratik. Sipas tij, themelimi i një instituti të tillë është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ndihmon shumë në marrjen e praktikave dhe përvojave, si dhe në fuqizimin e demokratizimit të shoqërisë sonë.
Duke marrë fjalën në këtë takim, kryetari i GP të AAK-së Besnik Tahiri, theksoi se SHBA-të në mënyrë të vazhdueshme kanë mbështetur shtetin e Kosovës në ndërtimin e institucioneve demokratike. Sipas tij, themelimi i Institutit Parlamentar është i rëndësishëm dhe do të ndihmojë shumë në funksionimin dhe rolin e Kuvendit.
Nga GP Multietnik, kryetari Enis Kervan theksoi se bashkëpunimi me SHBA-të është i rëndësishëm, sidomos me komunitetet që ai përfaqëson. Sipas tij themelimi i institutit në fjalë do të kontribuonte në zhvillimin e demokracisë dhe se grupi parlamentar që ai përfaqëson mbështet pa rezervë themelimin e një organi të tillë.
Edhe përfaqësuesit e tjerë nga delegacioni amerikan shprehen pikëpamjet dhe mendimet e tyre lidhur me procesin dhe modalitetet për ngritjen e Institutit Parlamentar. /2LONLINE/