Mbrëmë, persona të panjohur kanë vandalizuar veturën private të Nënkryetarit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Belgjikë, Bujar Krasniqi.
Ngjarja ka ndodhur në Antwerp para shtëpisë së aktivistit dhe është qartë e motivuar politikisht siç vërtetohet nga gërvishtjet në veturë. Rasti është lajmëruar në Polici dhe është duke u hetuar, thuhet në një reagim të Vetëvendosjes.
“Ky është një sulm tinëzar ndaj pronës private i cili ka për qëllim frikësimin dhe heshtjen e qytetarëve tonë në diasporë. Kujtojmë se Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje është rritur në mënyrë të të jashtëzakonshme gjatë muajve të fundit dhe është shquar për aktivitete në denoncimin e autoritarizmit dhe shkeljeve të njëpasnjëshme të të drejtave elementare të qytetarëve nga regjimi i instaluar në Kosovë, përfshirë në rastin e Astrit Deharit”, thuhet tutje në reagim.
E, Bujar Krasniqi deklaroi se “njerëz që deri tani i kanë shërbyer partive zhvatëse sigurisht se ndihen tepër keq se po humbin përkrahjen dhe pushtetin dita e ditës. Por një gjë dua t’i garantojë këta njerëz, që as unë e asnjë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje në Belgjikë e gjetiu, nuk do të ndalet së vepruari kundër të gjithë atyre që dëshirojnë ta shkatërrojnë atdheun tonë.”