(2LONLINE) – Agjencia për Zhvillim Rajonal Lindje (AZHR Lindje) ka mbajtur takimin parë të Bordit të Partnerëve me udhëheqësit e rinj komunalë, gjegjësisht kryetarët e komunave partnere që pas zgjedhjeve komunale të vitit të kaluar. Në takim ishte i pranishëm nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu si dhe kryetarët e Komunave të: Ferizajit, Kaçanikut, Vitisë, Hanit të Elezit, Kllokotit, Novobërdës, Kamenicës dhe Parteshit sikur dhe zëvendës kryetarët e Komunave të Ranillugut dhe Shtërpcës.
Në këtë takim janë prezantuar aktivitetet e zbatuara nga rajoni lindje në kuadër të procesit të Zhvillimit Ekonomik Rajonal i ndihmuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Drejtor Ekzekutiv AZHR-Lindje, Almir Hyseni, i njoftoi kryetarët e komunave se të gjitha aktivitetet e parapara në planin e punës janë zbatuar me sukses dhe i njoftoi kryetaret e komunave për aktivitetet që do t’i ndërmarrë agjencioni për të ndihmuar Komunat, OJQ-të dhe komunitetin e biznesit për të absorbuar sa më shumë grante për projektet zhvillimore ne rajon.
Në këtë takim, i pranishëm ishte edhe Shefi i Sektorit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Christof Stock, i cili theksoi se Zyra e BE-së ne Kosovë do të vazhdojë të ndihmoj këtë rajon përmes granteve të ndryshme të lansuara nga kjo Zyre, duke përmendur grantet e ndryshme si ai i EURED-it, bashkëpunimit ndër-kufitar, “Kosova e Bukur” etj.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu ka treguar për përgatitjet që Komuna e Gjilanit është duke i bërë për projektin e Bashkimit Europian “Kosova e Bukur”, ndërsa ka falënderuar z. Stock për investimet që Bashkimi Europian po i bënë në Gjilan.
“Ne si Komunë e Gjilanit do të konkurrojmë me 3 projekte që kanë të bëjnë me ndërtimin e trotuareve, infrastrukturës, meremetimit të shkollave, fushave të shkollave e gjelbërim. Besojmë se do t’i fitojmë këto projekte”, është shprehur nënkryetari Kadriu.
Kadriu e ka shtruar çështjen se kur do të nisë ndërtimi i Bibliotekës në Gjilan, që financohet nga fondet e Bashkimit Europian, ndërsa ka marrë përgjigje nga përfaqësuesi i zyrës së BE-së, Christof Stock se në fillim të marsit do të fillojë puna.
Në këtë takim është vendosur që kryetari i Kamenicës, Begzad Sinani të caktohet kryesues i Bordit të AZHR – Lindje për mandatin e ardhshëm njëvjeçar. /2LONLINE/