(2L ONLINE) – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu me bashkëpunëtorë, ka dalë sot në terren për të inspektuar punimet në lumin “Mirusha”. Me këtë rast ai tha se Komuna është maksimalisht duke punuar dhe atë me kapacitete të plota, ndërsa theksoi se është punuar mbi 80 për qind e kanalizimit.
“Sot jemi dalë në inspektim të punimeve në lumin “Mirusha”. Mund të them se punimet kanë shkuar jashtëzakonisht mirë, jemi në segmentin e fundit nga furra “Aroma” deri në përfundim të “Dardanisë”. Është një punë e madhe që do të bëhet në muajin e ardhshëm sepse është terren jashtëzakonisht i vështirë, por do t’ia dalim edhe me ndihmën e qytetarëve me të cilët kemi bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë”, ka thënë nënkryetari Kadriu.
Ai shtoi se kanë mbetur të punohen vetëm edhe 780 metra në ndërtimin e kanalizimit dhe se në fund të muajit shtator më nuk do ketë kundërmim e as insekte.
“Ne planifikojmë që edhe këto 780 metra që kanë mbetur në ndërtimin e kanalizimit, t’i përfundojmë shumë shpejt, që qytetarët të lirohen nga këto erëra dhe mushkonja. I garantoj qytetarët që problemi i kanalizimit, i erërave do të mbyllet në fund të shtatorit, ndërsa problemi i shtratit është puna më e vogël, i cili mund të kryhet sepse atëherë nuk kemi erë dhe asgjë tjetër, por punojmë vetëm në shtrat të lumit”, është shprehur nënkryetari Kadriu. /2L ONLINE/