Nënkryetari i Komunës së Kamenicës, Faton Jakupi, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Naim Arifi, dhe zyrtarë nga kjo drejtori kanë pritur në takim zëvendësministrin e Bujqësisë, Bajram Kastrati.
Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me kompenzimin e dëmeve nga breshëri për fermerët e Kamenicës, për procedurat dhe rrjedhën e aplikimit të fermerëve për grante dhe subvencione.
Nënkryetari Jakupi tha se Kamenica ka shumë tokë bujqësore dhe premisa të zhvillimit të bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit.
“Falënderoj zv.ministrin për vizitën. Kamenica edhe pse komunë e vogël ka shumë tokë bujqësore dhe premisa të zhvillimit të bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit, andaj presim që ministria përkatëse të vazhdoj mbështetjen për komunën tonë”, tha Jakupi.
Ndërsa drejtori i DBPZHR-së, Naim Arifi, duke falënderuar zv.minstrin për vizitën tha se kjo ministri gjithmonë ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar bujqit e Kamenicës.
“Falënderoj z.Kastratin për mbështetjen e tij të vazhdueshme për prodhuesit bujqësor të komunës sonë dhe theksoj se vetëm përmes kësaj përkrahje këta prodhues mund t’i tejkalojnë edhe sfidat me të cilat ata janë përballur gjatë këtyre javëve”, u shpreh mes tjerash Arifi.
Zv.ministri i Bujqësisë, Bajram Kastrati, tha se takimet me Komunën e Kamenicës do të shpeshtohen, dhe se ministria do të jetë në përkrahje të fermerëve dhe bujqëve të Kamenicës.
Pas takimit ata vizituan fermerin në fshatin Koretin, i cili merret me kultivimin e drunjëve dekorues.