Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka bërë me dije se bashkë me Drejtorin e Shëndetësisë, Selami Xhemaili, dhe, Drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Fejzulla Berisha, vizituan ambientet e QKMF-së, për të parë punën dhe kushtet e operimit të mantelbardhëve.
Nënkryetari Ismajli tha se furnizimet me pajisjet e nevojshme po vazhdojnë në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare, në mënyrë që mantelbardhët ta kenë më të lehtë operimin ndaj situatës pandemike dhe veçmas, të ndjehen më të sigurt përballë pacientëve që potencialisht mund të jenë të prekur me koronavirus.
“E përuruam koncentratorin e oksigjenit, i cili vije dhuratë nga BIO-LAB, i cili përmbushë nevojat dhe kërkesat e domosdoshme të kohës. E falënderojmë BIO-LAB-in, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhënë mjekësisë dhe nevojave të qytetarëve. Mantelbardhët po e bëjnë një punë të shkëlqyeshme, duke qenë vazhdimisht të gatshëm në përballjen e nevojave shëndetësore, si në qendrat mjekësore, po ashtu edhe në terren”, ka thënë Ismajli
Sipas tij, gjendja, përgjithësisht, konsiderohet stabile, me ndërhyrjet e nevojshme që vijnë nga qytetarët, por, pa ndonjë rast të ri me koronavirus, pas këtij të fundit.
“Ne ju bëjmë thirrje të vazhdueshme të qëndroni në bashkëpunim me mantelbardhët, për çdo lloj simptome apo ndryshimi të gjendjes shëndetësore, sepse, zbulimi i hershëm na ndihmon që ta parandalojmë edhe përhapjen e sëmundjes. Përgjithmonë, u jem falënderues mantelbardhëve, të cilët vazhdimisht përballen me rrezikun e drejtpërdrejtë, por, që janë të betuar se këtë betejë duhet dërguar deri në fund”, ka thënë nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli.