Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli jo rrallë herë ka ngrehur zërin kundër Qeverisë përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë kur ato, sipas tij, nuk e kanë përfillur interesin qytetar, të biznesit, e në veçanti të gastronomeve, me rastin e shtimit të rigorozitetit të masave anticovid.
Nënkryetari Ismajli, në njërën anë, pothuajse çdo ditë apelon te qytetarët dhe bizneset që japin shërbime që të vazhdojnë t’i respektojnë masat, vendosjen e maskës dhe mbajtjen e distancës, por në anën tjetër, nuk përton t’i thotë “boll’ edhe qeverisë, përkatësisht institucioneve përkatëse siç është Ministria e Shëndetësisë, sa herë që e vlerëson se ato, me veprimet e tyre, po i dëmtojnë bizneset në veçanti sektorin e gastronomisë, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ai edhe sot i ka quar ‘selam” Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë, që të jetë serioze dhe të mos luaj me durimin e qytetarëve, bizneseve, me theks të veçantë gastronomeve, sepse durimi i tyre po soset dita-ditës.
“Qeveria në detyrë duhet të bëhet më serioze dhe të shkojë më faqebardhë nga verdikti final i sovranit. Ministria e Shëndetësisë, nuk duhet t’i pengojë edhe më tutje gastronomët, bizneset dhe qytetarët, sidomos pas gjendjes shkatërruese socio-ekonomike nga pandemia. Politikanët tanë nuk duhet vënë represion ndaj këtyre kategorive, e sidomos ndaj gastronomëve, sepse presioni i bizneseve dhe qytetarëve është akumuluar pas grumbullimeve të thirrura nga vetë grupet politike nëpër fushatë”, ka thënë nënkryetar Ismajli.
Ai tha se durimit i ka ardhur fundi, dhe se gastronomët, qytetarët dhe bizneset nuk presin më gjatë.
“Presioni ndaj qytetarëve përkthehet në presion ndaj qeverisë. Është momenti i fundit kur duhet ta ktheni kokën nga ky sektor e ta shikoni si një aset të vendit i cili është një hap para falimentimit”, ka thënë nënkryetari i Gjilanit, Arbër IsmajlI.
Përndryshe, ditë më parë, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka mbajtur takim me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, me përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Duke e vlerësuar situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, e cila ka shënuar rritje të rasteve në dy javët e fundit, është përmendur edhe mundësia e rigorozitetit të masave për të ndalur trendin e rritjes së rasteve me virus.
Se cilat do të jenë veprimet e qeverisë në këtë drejtim dhe cilat do të jenë reagimet e qytetarëve dhe bizneseve në anën tjetër, mbetet të shihet. /2LONLINE.com/