Nënkolonel Sefer Isufi, është oficeri i parë i FSK-së, i cili, pas tri vitesh, me sukses kreu studimet në Kolegjin e Luftës të Forcave të Armatosura të Turqisë, në Stamboll.
Kolegji i Luftërave është institucioni më i lartë akademik në kuadër të Forcave të Armatosura të Turqisë, i themeluar në vitin 1848. Këtë Kolegj e kanë kryer shumë personalitete të njohura ushtarake e politike të Turqisë dhe të shteteve të tjera, ndër ta edhe Themeluesi i Republikës së Turqisë Mustafa Kemal Ataturku, Ministri i Parë i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, gjenerali Mehmet Deralla, shefi i Parë i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral Ali Shefqet Shkupi, etj.
Nënkolonel Sefer Isufi ka përfunduar studimet në Kolegjin e Luftërave Tokësore duke marrë titullin Oficer i Lartë Karriere i Shtabit të Përgjithshëm dhe njëkohësisht ka përfunduar studimet në shkallën Master, me notë të lartë, në profilin: Arti i Menaxhimit dhe Lidershipit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare, me temën: ”Studimi i ndikimit të anëtarësimit të Kosovës në NATO, në paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit”. Ky studim është vlerësuar shumë lartë nga personeli akademik i Kolegjit sikur edhe në përgjithësi, paraqitja e përgjithshme e Nënkolonel Sefer Isufit i cili studioi krahas kolegëve amerikanë, gjermanë, kinezë, koreanojugor, pakistanezë, ukrainas, algjerianë, etj.
Ndërsa, më 24 korrik 2014, në Stamboll u mbajt ceremonia e diplomimit në të cilën morën pjesë personalitet më të larta të Turqisë, si: Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë dhe delegacione të larta ushtarake mike të Turqisë, si dhe përfaqësues ushtarak e diplomatik të huaj të akredituar në shtetin e Turqisë.
Në ceremoninë e diplomimit, nga Kosova, mori pjese një delegacion i Ministrisë së Forcës së Sigurisë të Kosovës (MFSK), të prirë nga gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë së Operacioneve të MFSK-së, atasheu i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, në Turqi, nënkolonel Bekim Osmani dhe nënkolonel Bafti Lubishtani.
Delegacioni i MFSK-së, gjatë qëndrimit në Turqi, u prit edhe nga Komandanti i Kolegjit të Luftës, gjenerali me katër yje, Yalçin Ataman, të cilin, pjesëtarët e delegacionit, në emër të Ministrit të MFSK-së, Agim Çeku dhe të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, e falënderuan për mbështetjen që po ofrojnë Forcat e Armatosura të Turqisë dhe konkretisht Kolegji i Luftës në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së.
Kolegjin e Luftës të Forcave të Armatosura të Turqisë, këtë vit e kanë kryer 176 oficerë, vendas dhe 56 oficerë të shteteve të ndryshme të Botës, ndërsa, nga Kosova, nënkolonel Sefer Isufi është oficeri i parë që diplomoi me sukses të lartë në Kolegjin e Luftës të Forcave të Armatosura të Turqisë.
http://mksf-ks.org/index.php?page=1,24,1089#.VA4kUPmSyW4