Sot, ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, kanë mbajtur konferencë për media, ku kanë folur për aksionin e suksesshëm të Policisë së Kosovës në Zveqan të realizuar me 23.06.2023, të cilët nga një veturë me tabela të Beogradit kanë konfiskuar një arsenal të armëve, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Më poshtë keni fjalimet e ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla dhe drejtorit të Përgjithshëm të PK-së Kolonel Gazmend Hoxha.
Fjalimi i ministrit:
I nderuar Drejtor z. Hoxha,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë,
Që nga paslufta, Republika e Kosovës ka vijuar të përballet me agresionin e Beogradit zyrtar. Posaçërisht kohën e fundit dora e zgjatur e tyre ka intensifikuar sulmet tororiste ndaj Policisë së Kosovës, veturave të tyre dhe stacioneve policore, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR e gazetarëve e deri tek brutaliteti ndaj qytetarëve tanë në veri të vendit. Siç tashmë jemi dëshmitarë, situate ka degraduar në kulm pas agresionit të Serbisë me ç’rast janë kidnapuar 4 pjesëtarë të Policisë së Kosovës me 14 qershor.
Duke marrë shkas nga këto akte kundër ligjit, ne kemi intensifikuar punën për të siguruar qetësinë dhe një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët, në mënyrë që të parandalojmë tentativat për eskalim të situatës dhe cënim të rendit, sigurisë dhe sonvranitetit të vendit tonë.
Arrestime të shumta janë realizuar, duke vënë në pranga kriminelë të cilët në të kaluarën për vepra të ngjashme janë toleruar e janë amnistuar. Të njëjtët kanë sulmuar gazetarët dhe KFOR-in, e me vite kanë kërcënuar e shantazhuar qytetarët tanë, veçanërisht komunitetin serb.
Sundimi i ligjit për ne është prioritet. Ne po veprojmë sipas ligjit. Sovraniteti i Republikës së Kosovës është i paprekshëm. Andaj dhe arrestimet po ndodhin, sepse ne nuk mund të zmbrapsemi ndaj kriminelëve, dhe qëndrojmë të angazhuar për zbardhjen e të gjitha sulmeve dhe ruajtjen e të gjithë qytetarëve pa dalim.
Ne nuk do ta ndalim përkushtimin tonë të përbashkët për ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe legalitet në çdo cep të vendit. Për më tepër tash, kur ditën e djeshme, veprimet profesionale dhe puna serioze e Policisë së Kosovës dhe AKI-së, shmangën një sulm të planifikuar terrorist ndaj Republikës së Kosovës.
Të dashur qytetarë,
Siç edhe jeni njoftuar përmes kanaleve tona zyrtare, mbrëmë u identifikua një veturë me targa të Beogradit, rreth 100m larg Komunës së Zveçanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake.
Siç edhe mund t’i shihni të ekspozuara këtu, ka shenja me simbolet e formacionit ilegal kriminal e terrorist “Brigada e Veriut”, shenja dalluese të njësiteve ruse, radiolidhje të njëjta me ato të Aleksandër Filipovic (ish-shef i operativës në drejtorinë rajonale të veriut) të cilat janë gjetur në zyrën ilegale të tij brenda objektit të Komunës së Leposaviqit, pajisje të formacionit kriminal e terrorist “Mbrojtja Civile” të cilat shërbejnë për shkaktim të trazirave e sulmeve terroriste.
Këto mjete kishin për qëllim realizimin e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë.
Ky rast konfirmon informacionet e pranuara nga institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake.
Të dashur gazetarë,
Vetura që shihni këtu, me targa të Beogradit, e përfshirë në këtë rast është evidentuar si pronë e një ndërmarrje publike shtetërore e Serbisë. Saktësisht “Shoqëria Aksionare Hekurudha e Serbisë”.
Është mëse e qartë kush qëndron pas sulmeve dhe përpjekjeve terroriste brenda vendit tonë.
Pra, këtu në këto prova gjeni veturën e institucioneve të shtetit të Serbisë, radiolidhje të zyrtarëve serbë në Kosovë, simbole të Rusisë dhe të organizimit terrorist “Severna Brigada”. Panorama është më e qartë se kurrë. Granatat e dorës janë prodhim serb i vitit 2021, tashmë ka dëshmi që i njëjti lloj është përdorur në rastin kur janë plagosur ushtarët e KFOR-it me 29 maj në Zvecan. Fakti se janë prodhuar në këtë vit tregon se ky arsenal armësh nuk është i mbetur nga lufta 98-99 por është i sjellë nga Serbia, drejtpërdrejtë nga ushtria e Serbisë.
Doza e dhunës dhe kriminalitetit nga Serbia po rritet. Bandat kriminale janë shndërruar në organizime terroriste. Por, ne nuk do i lejojmë të kenë sukses.
I bëjmë thirrje Beogradit zyrtar të tërhiqet nga këto akte kriminale e tash edhe terroriste dhe të ndalojë tentativat dhe dëshirën për eskalim të situatës në vendin tonë.
Gjithashtu dhe faktorit ndërkombëtar, që të reagojë ashpër ndaj këtyre ngjarjeve dhe ta dënojë sjelljen e dhunshme e terroriste të Serbisë ndaj Kosovës.
Qytetarëve të Republikës së Kosovës, të të gjitha etnive, iu bëjmë thirrje që të vijojnë të qëndrojnë të informuar nga kanalet zyrtare të komunikimit të institucioneve shtetërore dhe të mos bien pre e dezinformatave.
Do të vazhdojmë pa ndalur punën tonë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe ballafaqimin tonë me grupet kriminale e terroriste të Serbisë. Destabilizimi dhe dhuna që ata po e kërkojnë dhe nxisin, nuk do të kalojë.
Po ashtu, unë do të kërkoj nga Qeveria e Kosovës që organizatat si Mbrojtja Civile dhe Severna Brigada të shpallen organizata terroriste.
Fjalimi i drejtorit:
I nderuar Ministër z.Sveçla,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë,
Pas një pune intensive nga Policia e Kosovës (PK) dhe shërbimet e inteligjencës, janë siguruar informacione se strukturat ilegale dhe grupet kriminale në veri të vendit kanë deponuar një sasi të madhe të armatimit në Zveçan, me qëllim që të njëjtat të përdoren për sulme terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës si dhe forcave të sigurisë që operojnë në veri të vendit, përfshi KFOR-in.
Me datë 23.06.2023 rreth orës 20:03, PK-ja ka kryer një kontroll të veturës Audi A6 me targa BG-955-JW, ku është zbuluar një sasi e konsiderueshme e mjeteve shpërthyese, armëve të rënda luftarake dhe pajisje tjera ushtarake. Vetura ka qenë e parkuar ndërmjet objekteve të banimit kolektiv në rrugën Obiliqi, Lagja Kolonia, Zveçan.
Menjëherë janë ndërmarr masat e sigurisë nga pjesëtarët e PK-së për sigurinë e qytetarëve në atë zonë, pasi që kjo sasi e madhe e armëve dhe mjeteve shpërthyese kanë paraqitur rrezik të jashtëzakonshëm për banorët e asaj lagjeje.
Policia ka ndërmarr të gjitha veprimet operative dhe hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti dhe ka arrit deri te informacionet se vetura ka qëndruar për një kohë në atë lokacion, duke qenë rrezik permanent dhe me pasoja katastrofale për banorët, qytetarët që kanë frekuentuar në atë zonë.
Në vend ngjarje përpos njësiteve të PK-se, Krim Teknika, NJTME (njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive-PK) kanë marrë pjesë edhe pjesëtarët e EOD të KFOR-it, të cilët kanë kryer vend-shiqimin.
Procesimi i vendit të ngjarjes është kryer pas mesnate rreth orës 00:33, duke sekuestruar veturën Audi A6 me targa BG-955-JW, si dhe gjësendet e gjetura në veturë, siç janë;
- 9 Zolla;
- 2 Lansues;
- 2 Osa;
- 1 Predhë e minahedhësit;
- 21 Granata dore;
- 20 Predha të troblonit;
- 2 Mbushëse të barutit;
- 10 Arme të gjata automatike;
- 1 Revole;
- 1 Shurdhues i armeve;
- 51 Karikator të armeve të gjata;
- 5 Karikator të armeve të shkurtra;
- 5756 Fishek të kalibrit të ndryshëm;
- 18 Koktej molotovi;
- 17 Mjete piroteknike;
- 14 Mjete tymuese;
- 5 Thika Ushtarake;
- 11 Jelek anti plumb dhe Jelek taktik;
- 9 Uniforma Ushtarake;
- 1 Pale Dylbi;
- 2 Maska pambuku për kokë;
- 1 Maskë kundër helmeve dhe gazrave;
- 1 Dyshek ushtarak (për snajperit);
- 19 Emblema të Severna Brigada
- 1 Telefon ajrore me SIM kartele dhe numër;
- 3 Radiolidhje, mbushës të radiolidhjeve;
- Si dhe një sasi e Narkotikeve.
- 1 Veturë Audi A6 me targa BG-955-JW
Pjesa dërmuese e armatimeve dhe mjeteve shpërthyese janë të prodhimit të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë.
Vlen të theksohet se nga totali i granatave të sekuestruara 15 prej tyre janë të prodhuara në vitin 2021 dhe nga ekzaminimi preliminar i ekspertëve të eksplozivëve, ekziston dyshim i bazuar se lloji i njëjtë i granatave është përdorur gjatë sulmit ndaj KFOR-it me datë 29.05.2023 në protestën e dhunshme në Zveçan.
Drejtoria Kundër Terrorizmit është duke e trajtuar rastin në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Rasti mbetet nën hetime lidhur me veprat penale:
- “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” nga neni 114, lidhur me
- “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, lidhur me,
- “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese” nga neni127, lidhur me,
- “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 138, lidhur me,
- “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, lidhur me,
- Nenin 28 të KPRK-së, si dhe
- “Posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotropike ose analoge” nga neni 269 të KPRK-së.
Vëmendje:
Po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur emblemat e të ashtuquajturës Severna BRIGADA, ju njoftojmë se që nga viti 2022 në katër Komunat Veriore (Mitrovicë Veri, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) janë shfaqur grafitë kërcënuese të organizatës Ilegale,, Severna BRIGADA” e cila vepron në kuadër të strukturave ilegale në katër Komunat në veri të vendit, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /2LONLINE/