Qytetarët e aktivistë të ndryshëm morën pjesë të martën e 23 qershorit në bashkësinë lokale të Zarbincës, në përkujtimin e ditës së të dëbuarve nga Malësia e Bujanocit gjatë vitit 1999 dhe partia republikane shtroi një Iftar të përbashkët me rastin e muajit të Ramazanit.
Në takimin e 23 qershorit, ditës së të zhvendosurve nga Malësia e Bujanocit, kishin dalë udhëheqës të Partisë Republikane, në krye me nënkryetarin e saj Avdil Ramadani, përfaqësues të Bashkësisë Lokale të Zarbincës, aktivistë të shumtë nga të gjitha vendbanimet shqiptare të Malësisë së Bujanocit, Gjilani dhe Medvegja.
Selami Bajrami, kryetar i bashkësisë lokale të Zarbincës përshëndeti të pranishmit dhe foli për rëndësinë e këtij takimi.
“Kjo ditë na kujton vitin 1999, kur bashkëfshatarët tanë u detyruan dhunshëm t’i braktisin vatrat stërgjyshore, kanë kaluar 16 vjet e banorëve të Malësisë së Bujanocit nuk iu krijuan kushtet për t’u kthyer në vendlindjet e tyre” ka theksuar Avdil Ramadani, kryetar i Partisë Republikane në Bujanoc.
Ai potencoi se nuk kanë qenë serioze angazhimet e Trupit Koordinuese, pushtetit lokal dhe ndërkombëtarëve, për krijimin e kushteve për kthim.
Ramdani shtroi si iniciativë ngritjen e një pllake përkujtimi për Doktor Ilazin, legjendën e Malësisë në Novosellës, emri i të cilit ka zënë vend në emërtimin e një rruge në qytetin e Bujanocit.
Imami i Xhamisë në Zarbincë, Mulla Mefail Ramadani, i cili falënderoi organizatorin e këtij takimi, duke u shprehur se ky është Iftari i parë pas 16 vjetësh, që po shtrohet në këtë tempull të Zotit.