(2L ONLINE) – Është mbajtur mbrëmë në lagjen “Zabel i SahitAgës” tubimi publik i radhës i kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri dhe drejtorëve komunal me qytetarët. Tubimin e ka hapur shefi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvend, Avdyl Aliu, i cili vie nga kjo lagje.
Ai ka thënë se nga ky tubim Zabeli ka përfituar sepse për herë të parë Komuna po shkon në këtë lagje për të diskutuar për problemet, projekte, e kërkesa të ndryshme dhe në anën tjetër përfiton edhe Komuna e Gjilanit sepse “qytetarët kanë shprehur besim dhe besimi paraqet vlerë”.
Kryetari Lutfi Haziri tha se kjo lagje ka vuajtur shumë për kujdes, por kthimi i shpresës na bënë të punojmë shumë, për ta arsyetuar besimin tuaj.
“Kam ardhur të diskutoj me ju sonte, sikurse kemi thënë në fushatë se kur të vijmë në qeverisjes do të bisedojmë me ju për hallet, kërkesat, ankesat…E fillojmë me Zabelin dhe do ta vazhdojmë me lokalitete e fshatra të tjerë. Në këtë lagje kemi realizuar disa projekte dhe jemi në revidim të projektit të trotuarit dhe më pas do të nisin punimet në terren’, ka thënë me këtë rast kryetari Haziri.
“Borxhi nuk pret ditë t’mira”
I pari i Komunës s Gjilanit theksoi se “për 10 muaj të qeverisjes i kemi shlyer 2 milionë e 100 mijë euro borxhe që na ka lënë ish-qeverisja dhe kjo ka qenë një ngarkesë shumë e madhe. Por, ne kemi vlerësuar se siç thuhet në popull “borxhi nuk pret ditë t’mira”
Ai tha se do të punojmë edhe më shumë në vitin e ardhshëm që të përmbushim të gjitha kërkesat e qytetarëve.
Qytetarët e kësaj lagjeje kanë bërë shumë pyetje e kërkesa, të cilave u është përgjigjur kryetari Haziri dhe drejtorët komunal.
Haxhi Fazliu ka pyetur për rregullimin e një pjese të rrugës në Zabel dhe rregullimin e parkingut në xhaminë që është ndërtuar nga haxhi Halili.
“E falënderoj shumë haxhi Halilin që e ka ndërtuar me mjete vetanake këtë xhami dhe çështja e parkingut është problemi më i vogël që mund ta bëjë Komuna”, është përgjigjur kryetari Lutfi Haziri.
Raif Robelli ka bërë kërkesë për ndriçim për një pjesë të lagje, ndërsa drejtori Sokol Haziri i ka thënë se brenda dy ditësh do të rregullohet.
“KEDS ka afat një javë për të hequr kutitë e njehsorëve”
Pati edhe pyetje për infrastrukturën e keqe të energjisë elektrike të KEK-ut, ndërsa kryetari Haziri i ka rekomanduar që të lajmërojnë rastet në polici sepse kjo çështje nuk është në kompetencë komunale.
Sa i përket vendosjes së kutive të njehsorëve nga ana e KEDS, Haziri ka thënë se kjo është e papranueshme sepse këtë e kanë bërë pa lejen e Komunës dhe se i kanë dhënë afat edhe një javë KEDS për t’i hequr ato, përndryshe këtë do ta bëjnë vetë zyrtarët komunal.
Fadil Agaj, arsimtar në shkollën fillore në këtë lagje, ka bërë kërkesë për ndërtimin e një salle për edukatë fizike, ndërsa Faton Kqiku ka pyetur nëse ka mundësi të ndërtohet një Qendër e Mjeksësisë Familjare.
Në konsultim me kryetarin, këshilltari Komunal Avdyl Aliu tha se do ta bëjnë të pamundurën që të bëhen këto investime gjatë këtij mandati.
Muhamet Halili ka folur për nevojën e rregullimit të trafikut urban për këtë lagje, derisa Lutfi Haziri tha se po punohet edhe në këtë drejtim, por nuk mund të jap premtim nëse mund të bëhet brenda mandatit.
“Komuna ka investuar në Zabel mbi 500 mijë vetëm në vitin 2014”
Drejtori e Departamentit të Prokurimit Salih Kqiku ka theksuar se gjatë këtij viti, qeveria komunale në krye me Lutfi Hazirin ka investuar në “Zabel” mbi 500 mijë euro vetëm këtë vit, ku përfshihen rrugët, kanalizimi, trotuari e ndriçimi publik.
Drejtori i Urbanizimit Valon Shefkiu tha se jemi duke i hartuar planet rregulluese dhe nga 23 hektarë në fillim, pas kërkesave të shumta të banorëve të kësaj legjeje, kemi nxjerr vendim edhe për 64 hektarë dhe janë bërë gjithsejtë 87 hektarë.
Drejtori Zhvillimit Ekonomik, Ismail Januzi, tha se Gjilani është ndër komunaet e para që e ka trajtuar efiçiencën e energjisë elektrike, duke shtuar se është duke u punuar në partneritet me BE-në që ta bëjmë të mundur ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza.
“Investimet në infrastrukturë për 2014: dhjetëra km rrugë të asfaltuara, 52 km rrugë të rendit të tretë, 2.5 km kanalizim, 28 km ndriçim…”
Drejtori i Administratës Nazim Gagica theksoi se ashtu sikur sonte që Komuna ka ardhur të ballafaqohet me ju, kjo drejtori ua ka mundësuar që shërbimet t’ua sjellë në shtëpi përmes postës.
Drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Sadudin Berisha, theksoi se është duke u punuar shumë në çështjen e pronës dhe se gjendja me vitin paraprak ka ndryshuar për 360 shkallë për të mirë dhe ajo që dua të them se ne nuk kemi shitur asnjë pronë komunale.
AI ftoi të gjithë qytetarët që kanë marrëdhënie pronësore të parregullura, t’i procedojnë dhe do ta kenë mbështetjen e Komunës së Gjilanit.
“Buxheti për bujqësi për vitin 2015 – 1 milion euro”
Drejtori i Shërbimeve Publike Sokol Haziri tha se brenda 10 muajve të qeverisjes Haziri janë shtruar 52 kilometra rrugë të rendit të tretë në fshatra, 28 kilometra ndriçim publik, mbi 2.5 kilometra kanalizim dhe dhjetëra kilometra rrugë të asfaltuara.
Brenda mandatit katër vjeçar, tha ai, do të rregullohen të gjitha problemet infrastrukturore.
Ndërsa, drejtori për Bujqësi Ramiz Ramadani, ka thënë se qytetarët e Gjilanit dhe të Zabelit kanë përfituar për herë të parë nga programi bujqësor.
Ai pohoi se nga subvencioni i Drejtorisë së Bujqësisë për grurë kanë përfituar 752 fermerë, derisa janë shpërndarë mbi 203 mijë kilogram grurë.
Ramadani ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen e madhe edhe për vitin e ardhshëm, ku buxheti i kësaj drejtorie do të jetë hiç më pak se 1 milionë euro. /2L ONLINE/