(2L ONLINE) – Në prani të dashamirëve të shumtë të librit, në Viti është promovuar sot romani më i ri i autorit Jusuf Buxhovi “Dosja e hapur”, i cili nga folësit u cilësua si roman ndryshe nga të tjerët por që në të vërtetë e shpjegon paaftësinë tonë për të parë të vërtetën në sy dhe mos dëshirën tonë që njëherë e përgjithmonë të mbyllim dosjen, të cilën të tjerët nuk duan ta mbyllin.
Për librin foli kritiku letrar Ramadan Musliu i cili theksoi se kjo dosje si një metaforë letrare, kthehet në personazh kryesor të veprës brenda për brenda së cilës vlojnë konspirimet e ndryshme politike ndër më të ndryshmet nga ato të natyrës gjeopolitike, mitike, ideologjike e deri te ato fetare dhe të luftës së qytetërimeve.
Ndërsa autori shpalosi disa nga momentet më të rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës, që apostrofohen në këtë vepër, të cilat nga faktet historike kthehen në fakte letrare, por edhe jetësore.
Me këtë rast Buxhovi theksoi se “Dosja e hapur” është jo vetëm kujtesë historike rreth një anateme e cila ka prodhuar tragjedi, por ajo është edhe një sprovë e vazhdueshme që nëpërmes dëshmimit civilizues ajo të demantohet.
Autori vlerëson se sjellja e deritanishme e klasës politike si në Tiranë e po ashtu edhe në Prishtinë, nuk ka qenë në përputhje me idealet e shtet ndërtimit, ngaqë pushteti politik është parë si mundësi që shteti të vjelët me të gjitha mjetet e jo të ndërtohet.
Në këtë promovim, të pranishmit i përshëndeti në emër të institucioneve komunale zv. kryetari i komunës Hasan Aliu, i cili theksoi nevojën e mbështetjes së shkrimtarëve dhe në përgjithësi historianëve, në mënyrë që të shkruhet edhe më shumë për historinë tonë./2L ONLINE/