Është promovuar sot libri “Etika në media sociale rasti I Kosovës”, i autores Dr.Sc. Lirije Aliut, që për tematikë ka rolin e mediave sociale në shoqëri, respektivisht zbatueshmërinë e kodit etik, karshi gazetarisë objektive e të paanshme.
Shkrimtari Sabit Rrustemi, duke folur për rendësin që ka ky libër, tha se një hulumtim në këtë fushë, ka qenë domosdoshmëri, me që shpërfaq anët negative e pozitive të mediave sociale.
“Prandaj, ky libër, lirisht mund të themi se i adresohet atyre që e bëjnë gazetarinë në mediat sociale, e që shpesh e informojnë opinionin pa ndonjë argument të saktë e real për ngjarjen. Si shtëpi botuese “Beqir Musliu” në Gjilan, në kushte pandemie kemi botuar 20 tituj librash. Libri i sotëm i Lirije Aliut, është shumë i rëndësishëm, andaj edhe jam shumë i nderuar që gjendem këtu”, tha Rrustemi.
Kryetari i komunës së Vitisë , Sokol Haliti, duke përshëndetur të pranishmit, ka përgëzuar autoren e librit për hulumtimin që ka bërë rreth saktësisë së mediave sociale, apo të kundërtën, e që ndikon në zhvillimin shoqëror në përgjithësi.
“Ngritja e femrave intelektuale në Viti, më gëzon shumë. Siç më gëzon edhe promovimi i librit të Lirije Aliut, e që karakterizon një tematikë shumë të rëndësishme. Autorja e librit, ka qenë kontribuuese në shoqëri edhe në etapa të ndryshme. Edhe si një aktiviste e kulturës në moshën rinore, pastaj si zyrtare komunale për vite të tëra. Mandej edhe në edukimin e brezave si punëtore arsimore, si dhe së fundmi edhe si autore e një libri që ka për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë, karshi medias dhe rrjeteve sociale. Jemi krenar edhe me veprimtarinë dhe aktivitetin letrar të Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, për çka i falënderojmë për punën sepse në këtë mënyrë po ruhet kultura, libri dhe vazhdimësia e krijimtarisë letrare”, tha Haliti.
Me këtë rast ai ka nderuar me mirënjohje autoren e librit, për gjithë kontributin e dhënë deri më tani.
Për librin ka folur edhe prof.dr. Sahadete Tërrnava, e cila theksoi se autorja ka dhuruar lexuesit për më shumë se 200 faqe hulumtim ku shtjellohen normativat ligjore vendore e ndërkombëtare.
Autorja sjell mungesën e debatit cilësor në të shumtën e debateve që zhvillohen në media, prek lajmet e rreme të cilat edhe ndikojnë negativisht në shëndetin publik, etj, tha ajo.
Për librin kanë folur edhe prof.dr. Mustafë Kadrijaj e prof..dr Sadik Haxhiu. Ndërsa në fund, autorja dr.sc Lirije Aliu, është shprehur se e gjitha puna e saj, nuk ka pasur për qëllim vetëm kontributin shkencor, por edhe atë të vetëdijesimit e opinionin publik, karshi veprimtarisë së medias, në këtë rast të asaj sociale.
Ajo më tej përmendi se në bazë të hulumtimit të bërë, ka hasur në faktin se kodi etik i gazetarisë zbatohet minimalisht dhe ky është një shqetësim që atakon gjitha kategoritë e shoqërisë në Kosovë.
“Me gazetar të mirë, e me një gazetari të mirëfilltë, arrihen majat e demokracisë”, është shprehur ndër të tjerash autorja e librit Lirije Aliu. /2LONLINE/