Në Viti u organizua një trajnim me temën “Integrimi gjinor dhe vlerësimi i ndikimit gjinor,” ku morën pjesë zyrtarë të komunës së Vitisë. Trajnimi u hap nga Ibadete Hyseni, zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Vitisë, e cila theksoi rëndësinë e fuqizimit të politikave për barazinë gjinore në nivel lokal.
Ky aktivitet u organizua nga Zyra për Barazi Gjinore në bashkëpunim dhe mbështetje të UN Women, duke shërbyer si platformë për të adresuar çështje kyçe në lidhje me barazinë dhe gjithëpërfshirjen në institucione dhe shoqëri.
Gjatë trajnimit, Albana Rexha, trajnere e UN Women, prezantoi tema kyçe lidhur me integrimin e perspektivës gjinore në politikat dhe praktikat institucionale. Ajo ndau shembuj konkretë mbi ndikimet e pabarazisë gjinore dhe mënyrat për të adresuar sfidat që përballen gratë, burrat dhe grupet e tjera të margjinalizuara, përfshirë minoritetet etnike.
Rexha gjithashtu foli për rëndësinë e diversitetit dhe gjithëpërfshirjes në vendimmarrje, duke theksuar nevojën për të përfaqësuar barabartë burrat, gratë dhe grupet që shpesh mbeten jashtë këtyre proceseve. Përmes diskutimeve mbi perspektivën gjinore dhe privilegjin, pjesëmarrësit patën mundësinë të reflektojnë mbi qasjet që mund të nxisin barazinë dhe drejtësinë sociale.
Ky trajnim synon të forcojë kapacitetet e zyrtarëve lokalë në krijimin dhe zbatimin e politikave të ndjeshme gjinore dhe të inkurajojë përfshirjen e të gjithëve në proceset vendimmarrëse. /2LONLINE/