Institucionet komunale, respektivisht Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, kanë bërë sot shpërndarjen e koshereve për 50 bletarë të kësaj komune.
Në ceremoninë e shpërndarjes së këtyre koshereve, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti ka thënë se në vazhdën e përkrahjes dhe mbështetjes së sektorëve të ndryshëm të bujqësisë dhe blegtorisë, sot po ndihmojmë edhe një sektor tjetër shumë të rëndësishëm në komunën tonë.
“Ndjej kënaqësi kur jam këtu për t’iu mbështetur sepse e di që ky donacion ju shërben si shtytës të angazhimit tuaj. Sektori i bletarisë në komunën e Vitisë është zhvilluar mjaftë dhe kjo dëshmon edhe leverdinë që ka kultivimi dhe zhvillimi i këtij sektori. Ne jemi angazhuar vazhdimisht por edhe do të jemi të përkushtuar që të mbështesim zhvillimin e bletarisë, në mënyrë që të ofrojmë kushte sa më të favorshme që do të ndikojnë në një klimë të përshtatshme për të zgjeruar këtë sektor”, ka thënë Haliti.
Kurse Veton Ademi, Drejtor për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural bëri me dije se falë bashkëpunimit të Komunës së Vitisë, Projekti për Aftësitë për Punësim Rural (APR) –Helvetas Intercooperation dhe GLV “ Vitia” secili nga 50 bletarët përfitues kanë marrë nga 4 koshere dhe një tymosese.