Në kuadër të muajit prill, që si zakonisht nga qeveria komunale e Vitisë, shpallet si muaj i pastrimit, autoritetet komunale, respektivisht Drejtoria e Urbanizmit, Planifikimit dhe Mjedisit, kanë zhvilluar një aksion të pastrimit, që ka nisur në shëtitoren Viti-Binqë.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, duke e shpall të hapur aksionin që do të zgjatë tri javë të pastrimit, ka theksuar se Institucionet komunale vazhdojnë të jenë të përkushtuara për një ambient të pastër dhe ky aksion do të jetë vazhdimësi e aksioneve tjera.
“Deri më 22 Prill, në komunën e Vitisë do të zhvillohen aksione të pastrimit në të gjitha lokalitetet. Falenderoj gjithë mekanizmat që janë të përfshirë në projektin e aksionit “Pastro dhe ruaje”, ka thënë kryetari Haliti.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mjedis, Ajet Sallahu, ka bërë të ditur se aktivitetet e pastrimit, do të vazhdojnë nga sot e deri më 22 prill në të gjitha lokalitetet, me pastrimin e hapësirave gjelbruese, trotuareve e rrugëve, si dhe në shkollat e këtyre lokaliteteve.
Pjesë e këtij aksioni të pastrimit, janë të gjitha drejtoritë komunale, KFOR-i amerikan, punëtorët e pastrimit, këshillat e fshatrave, përfaqësues të shoqatave e organizatave, policia, FSK, Kompania e pastrimit “EcoHigjiena” etj. /2LONLINE.com/