(2LONLINE) – Unë si shef i Grupit të Këshilltarëve të Lëvizjes vetëvendosje përmes– mediave po e bëjë publike një çështje të cilën, natyrisht e kam parashtruar së pari në vendin e duhur- në Kuvend. Pra fjala është për ndërtimin e objektit të pompës së derivateve të naftës nga kompania HIB-PETROL në rrugën magjistrale Gjilan –Bujanoc. Unë në emër të grupit të këshilltareve të LVV në seancën e parafundit nën pikën “të ndryshme”, kam shtruar pyetjen nëse pronari i objektit ka kërkuar dhe është pajisur me lejet ndërtimi, por nuk mora përgjigje nga askush, ndonëse drejtori iinspeksionit nuk ishte aty, pra pyetja ime kaloi në heshtje.
Në mungesë të gatishmërisë për përgjigje apo diskutim, të njëjtën pyetje bëra edhe me shkrim për Drejtorinë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit dhe Drejtorinë e inspeksionit. Pyetjet të lartpërmendurve u janë dorëzuar më 14.04.2014. Afati për përgjigje ka qenë një muaj, por unë shpreh falënderim për të dy drejtorët që të dy me kohë kanë dhënë përgjigje, madje të menjëhershme, madje Drejtori i Inspeksionit më është përgjigjur në seancën e fundit të Kuvendit, pavarësisht se forma e përgjigjeve me shkrim janë vonuar më tepër se dy javë, në zyrën e shërbimeve për qytetarë, pra në administratë dhe do të ishin vonuar edhe më, sikur unë të mos kisha këmbëngul dhe shkuar për të marrë përgjigjen në këtë zyrë.
Por thelbi e problemit qëndron në përgjigjet që janë marrë nga dy drejtoritë përkatëse. Kështu Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, në pyetjet tona me shkrim, ku është kërkuar nëse kompania Hib Petrol ka kërkuar leje për të ndërtuar pompë të derivateve dhe a lejohet ndërtimi në atë zonë dhe cili është destinimi i asaj pjese sipas planit rregullues kemi marrë përgjigje se toka në fjalë shtrihet në katër parcela, dhe se me kërkesë të pronarit të saj kjo tokë bujqësore qenka shndërruar në tokë ndërtimore, në bazë të një vendimi komunal të 30 tetorit të vitit 2008, dhe toka në fjalë paska destinim, po citoj: “Zgjerim i trasesë ekzistuese të Autorrugës dhe ndërtimit të trasesë së Hekurudhës” që qenka paraparë në shtojcën nr. 1 të Ligjit nr.04/L-110 për ndërtim, që qenkan kompetencë e Ministrisë përkatëse.
Nga kjo nënkuptojmë se toka qenka shndërruar, nga toka bujqësore në tokë ndërtimore në mënyrë të ligjshme, por, që destinimi është krejtësisht tjetër, pra destinim ka qenë dhe mbetet për zgjerim të trasesë së Autorrugës ekzistuese dhe ndërtimit të trasesë së hekurudhës, por jo për stacion të pompës së derivateve të naftës.
Më poshtë në përgjigje thuhet se parashtruesi I kërkesës deri më tani nuk ka sjellë kërkesën e kompletuar, kështu që e njëjta do të përmbyllet me kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm.
Që i bie se nuk ka leje, por që janë në pritje të kompletimit të dokumencionit të nevojshëm.
Lidhur më këtë pyetje kemi shtruar edhe për Drejtorinë e Isnpeksionit e ato ishin:
Pse inspeksioni nuk ka ndërprerë punimet e Kompanisë HIB Petrol në rrugën magjistrale Gjilan-Bujanoc?
Pse është lejuar që këto ndërtime të arrijnë deri në nivelin e tanishëm, sa të ngritën baza dhe objekte me materiale të forta?
Çfarë ka bërë Inspektoriati i ndërtimit gjatë gjithë kësaj kohe dhe aktualisht?
Nga Drejtoria e Inspeksionit kemi këtë përgjigje:
Lidhur më kërkesën tuaj Drejtoria e Inspeksionit njofton se ndërtimi i objektit nga kompania “HibPetrol”në rrugën magjistrale Gjilan-Bujanoc, kemi marrë të gjitha masat që objekti pa leje, (po e përsëris unë pa leje) të mos ndërtohet. Ne si organ në momentin e parë gjatë inspektimit që është konstatuar nga inspeksioni i ndërtimit që objekti ndërtohet pa leje ju është ndërprerë puna.
Provë; vendimi për ndërprerjen e punës nr.08-355-15673, të datës 07.02.2014
Investitori nuk ka përfillur vendimin për ndërprerje, janë marrë masat tjera shtesë. Është rrethuar me shirit zyrtar objekti dhe është lëshuar vendimi për rrënim.
Provë; Vendimi për rrënimin e objektit nr. 08-355-2197 i datës 21.02.2014.
Me që vendimi për rrënim ka hyrë në fazën e plotfuqishmërisë ju është dhënë afat shtesë për legalizimin e objektit, në të kundërtën do të merren masa për rrënim të objektit.
Pra, siç shihet Drejtoria është në dijeni se objekti po ndërtohet pa leje dhe e thotë këtë, ka marrë dy vendime që nuk janë respektuar nga investitori i Hib Petrolit. Pra fjala është për dy vendime të muajit shkurt, pra të 7 shkurtit dhe 21 shkurtit, dhe përkundër që vendimi ka hyrë në fazën e plotfuqishmërisë për ekzekutim i është dhënë afat shtesë për legalizim.
Pra investitori Hib Petrol nuk ka leje, ndërton në tokën që ka destinim krejtësisht tjetër, nuk respekton asnjë nga vendimet e inspeksionit e të komunës, nuk ka lënë as hapësirën që është e rrugës, madje nuk mund të ndërtohet as edhe një shteg për biçikleta, ka hequr shiritat e ndalimit të punimeve, shtrin rrjetin e kanalizimit në gjatësi më shumë se dy kilometra pa leje, në pjesën e rrugës për zgjerim, që është hapësirë publike, ka injoruar gjithçka, u bënë konkurrencë bizneseve vendore që me vite punojnë me leje të njëjtën veprimtari, shtrohet pyetja si mund t’i lejohet legalizimi një biznesi të tillë ?! ku janë organet tona ekzekutive ?! pse nuk respektohen dhe ekzekutohen vendimet ?!, ku është ligji në të cilin po thirremi ?!. Shtrohet pyetja pse pozita heshtë, pse kjo nuk i shtrohet për diskutim në Kuvend. Thonë që heshtja është pranim por thonë edhe që heshtja flet.
Ligji po shkelet jo me këmbë, por me mjete të rënda me ekskavator, e qeveria jonë komunale po mbyllë sytë, po bënë sehirë, si duket po pret ftesë për prerjen e shiritit në përurim. Një njeri biznesi që nuk respekton ligjet e shtetit vështirë se bënë biznes të ligjshëm.
Me këto është dashur të merret edhe Kryetari i Komunës, të përkrah drejtorët që vet i ka zgjedhur, se kështu qyteti jonë nuk bëhet qytet i luleve, por bëhet qytet i hithrave që nuk u shkulet fara, bëhet qytet i krimit ekonomik. Por Kryetari nuk ka kohë të merret me këto « vogëlsira », madje nuk ka kohë as të ndjek të gjitha seancat e Kuvendit, nuk ka pasur kohë të marrë pjesë as edhe në një mbledhje të Komitetit për politikë dhe financa, nga katër sa janë mbajtur deri tash, nuk ka kohë që në Kuvend të dëgjoj dhe të përgjigjet në pyetjet e këshilltarëve komunal.
Në anën tjetër thotë se komuna është në falimentim, është në dietë, është në borxhe. Gjë të cilën të gjithë e dimë, por çfarë po bëhet për të dalë nga kjo, se për këtë keni marrë përgjegjësinë? Pra, nëse shtëpinë e ke rrëmujë nuk shkohet tek fqinjët për të pirë kafe. Shtrohet pyetja në udhëtimet jashtë Kosovës çfarë kanë përfituar qytetarët e Gjilanit? Me këtë gjendje që ka Gjilani, a është bërë sa duhet ? pyetje të tilla janë shtruar edhe në Kuvend por përgjigjet s’ka pasur. Kjo gjë që flet edhe për mungesë transparence.
Po thuhet se detyrë e opozitës është të kritikojë, por një qeverisje e përgjegjshme merr parasysh kritikat e drejta, nuk i injoron ato por i pranon e bashkëpunon. Edhe kritikat janë zë i qytetarëve dhe kur ato janë të drejta duhet përfillur e falënderuar. Prandaj ne i bëjmë thirrje pozitës që ta bëjë këtë, sepse kjo është në të mirë të qytetarëve, është në të mirë të komunës. Ndërsa Drejtorëve të Drejtorive, u themi zbatoni ligjet, punoni drejt dhe do e keni përkrahjen tonë, nëse keni presione, kërcënime e shantazhe ua thoni atë organeve përgjegjëse, bëjini publike, përkrahjen tonë do ta keni, por besoj edhe të gjithë qytetarëve. Në të kundërtën, ne asnjëherë nuk do të heshtim e ndalemi së kritikuari. /2lonline/
/Nevzad ISUFI/
Autori është Shef i Grupit të Këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Asamblenë Komunale të Gjilanit