(2LONLINE) – Një ditë pa përfunduar viti që shkoi, me 30 Dhjetor 2013, në Gjilan vdiq atdhetari Ramiz Osmani nga fshati Makresh i Poshtëm i Gjilanit. Xha Ramizi, mund të thuhet se ishte njëri ndër më të moshuarit në listën e personave të burgosur politik të kësaj komune, dhe për koincidence, ai kishte lindur me 17 shkurt të vitit 1920, pra në ditën kur para afro gjashtë vitesh në Prishtinë u shpall edhe pavarësia e Kosovës.
Ramiz Osmani, së bashku më vëllezër, kushërinj e bashkëfshatar ishte rreshtuar në NDSH-në e Mulla Idriz Gjilanit e të Gjon Sereçit dhe aktivitetin e tyre e shprehën pikërisht në kohën kur nëpër fshatrat shqiptarë po zhvillohej aksioni famkeqet i rekuizmit (mbledhjes së tepricave) apo siç njihet në popull, aksioni për mbledhjen e “vishakut”. Ai së bashku me shokë ndërmorën aksionin per prerjen e shtyllave të telefonit në relacionin Gjilan – Përlepnicë. Aksionin e realizuan në lokalitetin “Bunari i Rushitit” që tash në popull njihet si toponim “Bunari i Përlepnicës” në vitin 1949. Ata, këtu rrafshuan për toke shtatë shtylla telefoni, një të premte në mbrëmje dhe rastësisi që të nesërmen, të shtunën, qytetarët e Përlepnicës u detyruan, krahas që e kishin dorëzuar me dhunë këtë teprice, kryesisht drithëra dhe material tjetër ushqimor e të veshmbathjes, ta bartitn me qerre tërheqëse deri në depot e Gjilanit ( Dr. Sabile Keçmezi Basha: Një proces i pazakontë gjyqësor për veprimtaren Hydajete Osmanin).
Pas këtij aksioni dhe veprimtarive tjera, ky grup bie në shënjestër të organeve të sigurimit të kohës dhe arrestohet nga OZN-a, dhe po at vit grupi gjykohet me 76 vjet burgim të rëndë. Kështu, Shefki Osmani denohet me 20 vjet burg, Ramiz Osmani-18, Nuhi Osmani-15, Zylfi Musliu-15, Musli Osmani (hoxhë)-8 vjet. Këto aktivitete të organizuara shtetërore, si aksioni për mbledhjen e tepricave, pastaj ai i mbledhjes së armëve, burgosjet dhe maltretimet tjera, nuk ishin asgjë tjetër pos ndërmarrje sistematike të organizuara për dhunë ndaj popullatës shqiptare, më qëllim të largimit të tyre nga trojet e veta stërgjyshore, pra pastrimit të Kosovës nga shqiptarët. Andaj veprimet shqiptare, ndonëse të sanksionuara rëndë, si ky i Ramiz Osmanit me shokë nuk u ndalen kurrë, andaj edhe vëllai i tij Kadri Osmani, që për këtë aksion si 12 vjeçar u maltretua, ai më vonë u dënua me 25 vjet burg, prej të cilave 17 i mbajti në burgjet e Prishtinës, Mitrovicës, Pejës, Beogradit, Pozharevcit, Nishit, Dob-it, Mariborit, Zagrebit e Lubjanës. S’do mend se kjo familje gjithnjë ishte në vëzhgim të organeve të pushtetit komunist, andaj pasojat ishin të mëdha si në aspektin ekonomik ashtu edhe në ate shoqëroro-politik.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës së lirë Ramiz Murat Osmanit
/Ukshin ZAJMI/