Të shtunën, në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, u bë rivarrimi i dëshmori Enver Pacolli.
Eshtrat e dëshmorit u tërhoqën nga varrezat civile në Hajvali, për të pushuar në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, ngjarje kjo që u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
“Për mua si kryetar i komunës është nder dhe privilegj, është krenari po ashtu, që në një ceremoni modeste, në një ditë të veçantë e të shënuar për familjen Pacolli, e në veçanti për dëshmorin e kombit Enver Pacolli, në datën e lindjes së tij, të zhvillojmë dhe përfundojmë procesin e rivarrimit të tij dhe vendosjen e tij krahas bashkëluftëtarëve e shokëve të idealit, në Kodrën e Dëshmorëve, në vendin ku prehen e ku përfundimisht do të pushojnë eshtrat e tij, si njëri prej luftëtarëve të lirisë dhe njëri prej atyre që ka dhënë gjithçka për vendin e kombin tonë”, ka thënë i pari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, transmeton 2LONLINE.com.
Edhe, ish zëvendëskomandant i UÇK për Zonën e Karadakut, dhe zëvendësministër i Mbrojtjes, Shemsi Syla ka thënë se si bashkëluftëtarë, ndjenjat janë të përziera dhe i rikthejnë në një situatë e cila nuk do të harrohet dhe ajo do të jetë shtylla kurrizore e gjithë kombit, në momentet me të rëndësishme të historisë, kur Enveri me shokët e tij dhe me armatën e madhe të UÇK-së, bënë historinë.
“Enveri sot po vije te shokët me të cilët e ndau edhe momentin e fundit të jetës. Enveri është sot bashkë në Kodrën e Dëshmorëve ku rrezaton gjithmonë Flakadani i Lirisë dhe çdo shqiptarë kahdo që sillet në këtë pjesë, gjithnjë vështrimin do ta ketë këtu sepse nga këtu filloi jeta të ndryshojë”, ka thënë Syla, transmeton 2LONLINE.com.
Ai ka kërkuar nga familjet e dëshmorëve të mbushet me krenari sepse dëshmorët dhanë jetën, por përfituan përjetësinë, janë yjet e lirës dhe emrat e tyre nuk do të harrohen kurrë.
Përfaqësuesi i familjes së dëshmorit Evner Pacolli ka falënderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në këtë ceremoni të rivarrimit, ku tani edhe dëshmori Enver Pacolli do të pushojë krahas dëshmorëve tjerë. /2LONLINE/