(2L ONLINE) – Në të gjitha fakultete e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajtën provimet pranuese për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2014/2015. Vaxhid Sadriu, Sekretar i Përgjithshëm ne Universitet, tha se procesi i testimit ka shkuar mbarë dhe se nuk ka pasur ndonjë parregullsi.
Përmes tabelës ju sjellim numrin e aplikantëve që dëshirojnë të jenë pjesë e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan
Sipas Sadriut, Universiteti “Kadri Zeka” ne Gjilan, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2014-2015, do të regjistrojë 2184 studentë, prej të cilëve 1824 studentë të rregullt dhe 360 studentë me korrespondencë. Universiteti do të regjistrojë 14 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi si dhe 485 studentë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe 35 studentë nga komunitetet jo-shumicë: boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptianë dhe të tjerë.
Sadriu ka bërë të ditur se shpallja e rezultateve të provimit pranues do të bëhet më 29.07.2014. Kandidatët që refuzohen mund t’i paraqesin ankesë Komisionit për ankesa, me datë 30 dhe 31 korrik 2014. Pas këtij afati ankesat nuk do të pranohen. Ankesat do të shqyrtohen me datë 4 gusht 2014. Publikimi i listave sipas ankesave bëhet më datë 5 gusht 2014. /2L ONLINE/