Në seancën e sotme të jashtëzakonshme që ka të bëjë me KAB-in, prezente në ulësen e nënkryetares së komunës është edhe Leonora Morina Bunjaku, përkundër që subjekti i saj PDK-ja nuk është më pjesë e bashkëqeverisjes me Vetëvendosje.
Siç dihet, kohë më parë është prishur koalicioni Vetëvendosje – PDK , dhe kjo e fundit sa ishte në bashkëqeverisje, ndër tjerash kishte edhe pozitën e nënkryetarit, pozitë kjo që mbahej, e po mbahet nga Leonora Morina Bunjaku.
Po ashtu dihet se në zgjedhjet e fundit, Leonora Morina Bunjaku ishte edhe kandidatura e PDK-së për kryetar komune. Sidoqoftë, mbetet të shihet se a do të gjendet alternativa si të mbahet kjo pozitë nga Leonora Morina Bunjaku, nëse ajo vazhdon të jetë me siglën e PDK-së, apo do të ketë zhvillime të reja, lëvizje nga njëri subjekt në tjetrin…
Ndryshe, pas prishjes së koalicionit Vetëvendosje – PDK, opozita tani është shumicë në Kuvend.
Aktualisht është duke u mbajtur seanca e parë e jashtëzakonshme për KAB-in dhe menjëherë pas përfundimit, parashihet edhe seanca tjetër, po ashtu e jashtëzakonshme, e thirrur nga opozita, me pikë të rendit të ditës, shkarkimi i kryesuesit të Kuvendit komunal. /2LONLINE/