Në konferencën ndërkombëtare për sigurinë rrugore e cila po mbahet në Tiranë, po marrin pjesë përfaqësues të niveleve të larta nga Shqipëria dhe nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe përfaqësues të lartë nga Policia e Kosovës (PK).
Viti 2020 është shpallur si “viti i sigurisë rrugore” në Shqipëri dhe përmes kësaj konference ndërkombëtare synohet përmirësimi i vazhdueshëm i perimetrave të sigurisë rrugore, përmes ndryshimeve të nevojshme dhe hartimit të projekteve të rëndësishme që ndikojnë në ngritjen e nivelit të sigurisë rrugore.
Një kontribut të veçantë në këtë drejtim ka dhënë edhe Policia e Kosovës përmes bashkëpunimit të ndërsjellë, shkëmbimit të përvojave trajnuese dhe patrullimeve të përbashkëta policore në Shqipëri.
Policia e Kosovës vazhdon ta ketë ndër prioritetet kryesore sigurinë në trafikun rrugor, ku në Planin Zhvillimor Strategjik 2016-2020, sigurinë e ka të përfshirë në objektivin e parë strategjik, “ofrimi i sigurisë publike dhe forcimi i besimit të qytetarëve”, konkretisht në objektivin e dytë specifik “ngritja e nivelit të sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimi i aksidenteve”.
Po ashtu Policia e Kosovës objektivat e saj strategjike i ka të harmonizuara edhe me strategjitë e qeverisë dhe institucioneve tjera që kanë të bëjnë me fushën e trafikut, përmes të cilave synohet ngritja e mëtejme e nivelit të sigurisë rrugore.
Në këtë konferencë ndërkombëtare u zotua për bashkëpunim të gjerë ndërmjet institucioneve dhe agjencive pjesëmarrëse.