Sot, në Terpezë të Vitisë, kanë filluar punimet në ndërtimin e objektit të ri të Ambulancës së Mjekësisë Familjare.
Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të këtij objekti kanë marrë pjesë Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti me bashkëpunëtorë si dhe Islam Cakaj, drejtor i Shoqatës Ekonomike Kulturore “Qëndresa Kosovare”, pasi që ky objekt po ndërtohet në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit të komunës me këtë shoqatë.
Haliti gjatë këtij takimi ka falënderuar shoqatën “Qëndresa Kosovare” për bashkëpunimin me komunën e Vitisë por edhe popullin Kuvajtian dhe të gjithë donatorët e kësaj shoqate që po mundësojnë bashkëfinancimin e këtij projekti të rëndësishëm.
Gjithashtu një fjalë rasti ka mbajtur edhe Drejtori i shoqatës “Qëndresa Kosovare” Islam Cakaj.
Përndryshe banorët e këtij lokaliteti kanë mirëpritur fillimin e punimeve në ndërtimin e këtij objekti shëndetësore duke e cilësuar atë si shumë të nevojshme.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve kanë marrë pjesë edhe Hanife Jonuzi, drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale si dhe Vjollca Kadolli-Halili, drejtoreshë e QKMF-së në Viti, si dhe të tjerë. /2LONLINE.com/