Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka bërë me dije se ka nënshkruar marrëveshjen me implementuesin (CDI) e fondeve të Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Kompaninë Regjionale të Ujësjellësit “Hidromorava”, për përfundimin e punimeve në shtrirjen dhe kyçjen në sistemin e ujësjellësit për fshatrat Muçivërc, Dajkoc, Roganë, Hodonovc dhe Novosellë.
“E reja e kësaj marrëveshje është që në këtë rrjet do të kyçet edhe Shipashnica e Poshtme. Me kryerjen e këtyre punimeve, një pjesë e madhe e territorit të komunës do të kyçet në sistemin e ujësjellësit”, ka bërë me dije Kastrati.
Sipas tij, Kamenica është ndër komunat më të varfra me pasuri ujore në Kosovë. Përgjatë tërë viteve të pasluftës nuk ka pasur investime serioze në këtë fushë.
“Bashkë me kabinetin e kemi vendosur në prioritet absolut zgjidhjen e këtij problemi. Kostoja e këtij projekti gjigant kapital është shumë e lartë, por me punën e mirë që po bëjmë, jam optimist që do të arrijmë të bindim donatorët për ta bërë këtë investim. Urime të gjithë banorëve që përfitojnë nga ky projekt”, ka thënë Kastrati.