Kanceri i gjirit është një vrasës i heshtur, i cili po nuk u zbulua herët, merr jetë. Në funksion të luftës kundër kësaj sëmundje, Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me organizatën Islamc Relief Kosova ka siguruar aparaturën për mamografi në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Njëherësh janë organizuar edhe ligjërata vetëdijesuese me gratë për rëndësinë që ka zbulimi i hershëm i sëmundjes.
Në këtë funksion, me datë 18 shtator, në QKMF “Dr Nagip Rexhepi” në Gjilan, reparti i Mamografisë, në mbështetje të zyrës së kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, Organizatës Islamic Relief Kosova, është mbajtur ligjërata e radhës në temën “Karcinoma e gjirit dhe sensibilizimi për detektimin me kohë të kancerit të gjirit”, ligjëruar nga Dr. Muharrem Sadiku, radiolog në QKUK dhe bashkëpunëtor profesional.
Donjeta Ajeti, bachelor i Radiologjisë ka ligjëruar në temën: “Rëndësia e mamografisë në diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit”, kurse Sherife Berisha, teknike e radiologjisë në QKMF në Kamenicë ka mbajtur ligjëratën me temën “Sfidat njëvjeçare në ekzaminim me mamografi në komunën e Kamenicës”.
Pjesëmarrësit u kanë bërë thirrje të gjitha grave që të bëjnë mamografinë në QKMF “Dr. Nagip Rexhepi” në Gjilan, e cila posedon aparaturë me kualitet të lartë me dhe lexim të saktë e profesional.
Mamografia në këtë qendër kryhet falas!
Mos harroni: “Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë”
Njëherësh, në emër të kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, drejtori i QKMF-së, Basri Kamberi i ka dorëzuar Mirënjohje organizatës Islamic Relief Kosova për kontributin e dhënë në këtë fushë. /2LONLINE/