/Pjesëmarrës vendor nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike me institutet Rajonale dhe nga rajoni po trajtojnë temë me interes të veçantë për fushën e mikrobiologjisë përfshirë sfidat dhe avancimet në mikrobiologjinë klinike në shekullin XXI, rezistencën antimikrobike, mikrobiologjinë sanitare, etj./
Organizuar nga Shoqata e Mikrobiologëve të Kosovës sot në Prishtinë po mbahet Konferencën e parë me pjesëmarrje ndërkombëtare për të diskutuar sfidat e avancimit të Mikrobiologjisë në Kosovë dhe shtetet e rajonit, përkatësisht qasjen në diagnostikën laboratorike të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë dhe rajon.
Në këtë konferencë, pjesëmarrës vendor nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) me institutet Rajonale dhe nga rajoni po trajtojnë temë me interes të veçantë për fushën e mikrobiologjisë përfshirë sfidat dhe avancimet në mikrobiologjinë klinike në shekullin XXI, rezistencën antimikrobike, mikrobiologjinë sanitare etj.
Duke përshëndetur punimet e kësaj konference, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se Kosova ende vuan në masë të madhe nga sëmundjet ngjitëse dhe se secilin vit regjistrohen mijëra infeksione të cilat prekin qytetarët e saj, të shkaktuara nga mikroorganizëm të ndryshëm.
“Kosova ballafaqohet nga sëmundje infektive nga më të thjeshtat si gjendjet gripoze e deri te infeksionet me Ethe Hemorragjike që kanë shkallë të konsiderueshme të letalitetit. Po ashtu, rezistenca antimikrobike e baktereve të caktuara është ndër më të lartat në Evropë dhe kjo kufizon mundësitë e trajtimit antimikrobik të infeksioneve brenda spitaleve.”, tha Ministri. Të gjitha këto gjendje mjekësore, tha ai, kërkojnë trajtim adekuat për të siguruar trajtim adekuat nevojitet diagnostika laboratorike e tyre në kohën e duhur. “Kjo nënkupton se mikrobiologjia në Kosovë duhet të jetë një lëmi me prioritet të lartë në mesin e shërbimeve mjekësore”, theksoi Ministri duke përmednur edhe arritjet në fushën e diagnostikës mikrobiologjike, veçanërisht në aspektin e diagnostikës së EHCC, Influenzës si dhe fitimit të një pasqyrë më të qartë lidhur me nivelin e rezistencës antimikrobike në spitalet e Kosovës si dhe në përgjithësi në ngritjen e kapaciteteve diagnostike laboratorike në kuadër të IKSHP-së.
Drejtori ekzekutiv i IKSHP-së, Naser Ramadani, ka theksuar përparimin e madh të bërë në Departamentin e Mikrobiologjisë, sidomos fuqizimin e kapaciteteve diagnostike përmes laboratorëve të avancuar dhe të akredituar ndërkombëtarisht, duke shtuar se puna, gjithashtu edhe e laboratorëve të instituteve Rajonale, ka ndihmuar në kompletimin e diagnostikës laboratorike të sëmundjeve ngjitëse.
Kryetarja e Shoqatës së Mikrobiologëve të Kosovës, Gjyle Mulliqi duke rikujtuar historikun e zhvillimit të Shoqatës së Mikrobiologjisë tha se ajo është themeluar më 2006 dhe numëron 49 anëtar, ndërsa theksoi faktin se mikrobiologjia përkundër se ballafaqohet me shumë sfida e vështirësi, ka arritur rezultate të mira dhe të bëhet një shtyllë e rëndësishme e shëndetësisë dhe mbështetëse e fortë e shërbimeve klinike.
Punimet e kësaj konference i ka përshëndetur edhe Andi Koraqi, kryetar i Shoqatës së Mikrobiologëve të Shqipërisë i cili ka vlerësuar se do të ishte me interes për dy shtetet që të kenë laboratorë të përbashkët dhe, gjithashtu, edhe në programet e mikrobiologjisë të përfshihen në kurrikulat e përbashkëta të studentëve në Kosovë e Shqipëri.