Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti me bashkëpunëtorë, por edhe Feriz Pira, njëri ndër themeluesit e parë të klubit të futbollit “Vllaznia”-Pozheran, si dhe të tjerë, kanë hedhur sot në Pozheran gurëthemelin për ndërtimin e stadiumit të futbollit “Ibrahim Kurteshi”.
Përndryshe në këtë stadium deri me tani stërvitjet dhe ndeshjet i ka zhvilluar KF. “Vllaznia” e Pozheranit e cila ka arritur suksese në futbollit duke garuar edhe në superlingën e Kosovës.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka folur rreth punës së institucioneve komunale për angazhimin e tyre në ndërtimin e këtij stadiumi.
Ne si komunë kemi arritur më në fund të përfundojmë procedurat dhe atë së bashku me Ministrinë e Kulturës, që të fillojmë me stadiumin dhe atë si bashkëparticipim në këtë projekt”, u shpreh Haliti.
Ai bëri me dije se me projektin e paraparë do të rregullohet fusha sportive, tribunat dhe zhveshtorët duke shpresuar se ndërtimi i stadiumit do të përfundoj në planin e paraparë dhe me cilësinë e duhur.
Haliti ndër tjerash shtoj se ai mbetet i përkushtuar të krijoj hapësira të mira për zhvillimin e disiplinave sportive.
Kurse Shpend Musa, Kryetari i KF “Vllaznia”- Pozheran ka falënderuar kryetarin Haliti dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të tjerë për këtë projekt duke potencuar se ky projekt është pritur padurim nga KF “Vllaznia” dhe tifozët e këtij klubi.