Gjilan – (2LONLINE) – Nuk i fsheh ambiciet e tija për të vazhduar t’i prij PDK-së së Gjilanit. Për më tepër beson se do të dal fitues në Kuvendin e Degë që pritet të mbahet më 12 janar. Thotë se është dëshmuar përgjatë këtyre viteve sa ka qenë në krye të PDK-së dhe e meriton të vazhdojë tutje në këtë post. Sipas tij, në PDK nuk ka vend për pashallarë.Ai përjashton mundësinë që lideri i këtij subjekti politik Hashim Thaçi, ta imponojë kryetarin e Degës, ndonëse pranon se është krejt normale, si për efikasitetin e Degës por edhe të komunës, me pas mbështetjen e të parit të partisë dhe qeverisë. Për këto dhe të tjera, lexoni intervistën në vijim, me kreun aktual të PDK-së së Gjilanit, Izmi ZEKA.
“2LONLINE”: z Zeka. Trego arsyen e vërtetë pse është shtyrë Kuvendi, sepse askush nuk po i beson asaj se është bërë për shkak të festave të fundvitit. Mos harroni se është anuluar Kuvendit veç dy tri orë pasi keni dërguar ftesën zyrtare për mbajtjen e saj ?
Izmi ZEKA: Shtyrja e Kuvendit është bërë për arsye që tani veç janë të njohur për opinionin. ishte një vendim i përbashkët me kryetarin e partisë, z. Hashim Thaçin që e kishte agjendën e ngjeshur edhe ishte fundviti. Në këtë relacion kishte edhe ambicie personale të disa individëve që kishin dëshirë me e kthye kuvendin në fontanë dëshirash duke shtuar emra pa përfillur procedurat. Qëndrimi im personal është i qartë. Dega e PDK-së në Gjilan ka përmbyllur zgjedhjet edhe atë me një pjesëmarrje në tërë këtë proces prej 4000 mijë vetave. Ka qene një proces tejet demokratik dhe shembull për tërë Kosovën. Tek ne janë mësuar njerëzit të thirren në procedura, rregulla etj, kurse janë të parët që insistojnë me i thye ato. Kuvendi do të mbahet më 12 janar dhe si i tillë do të jetë shembulli më i mirë i demokracisë gjilanase. Kuvendi ka 169 delegatë dhe ne këtë përbërje do të filloj punën ku do të dalin strukturat që do të udhëheqin PDK-në e Gjilanit. Kemi freski në struktura dhe si duket dikujt po i dhemb koka për këto arritje të PDK-së dhe rritës së saj. PDK-ja tani po të hyj në zgjedhje do te jetë fituese me këto kuadro të profileve të ndryshme që i ka në strukturat e saj që nga seksioni e deri te delegatet e kuvendit. Vetëm një shembull, kemi nëndegë që ka mbi 4 magjistra, kuadro të dëshmuara kombëtarisht e politikisht. Kjo është një pasqyrë e mirë se edhe çfarë profili do të ketë nesër PDK-ja. Jemi parti qe e kemi një lider të pakontestueshëm si z. Thaçi. Këtyre zgjedhjeve u ka dhënë dimension krejt tjetër vetë qëndrimi i z. Thaçi dhe angazhimi i tij për këtë proces tejet të rëndësishëm për të ardhmen e PDK-së
“2LONLINE”: Cilët realisht janë dy kandidaturat më pretenduese për postin e të parit në parti, ani pse flitet kuluareve për më shumë emra ?
Izmi ZEKA: Unë mund të flas vetëm për veti. Jam kandidat për kryetar Dege, kurse për ambiciet e tjerëve nuk di çka të them.
“2LONLINE”: A është e vërtetë se për postin e kryetarit të PDK-së së Gjilanit thelbësore është besimi që lideri i PDK-së Hashim Thaçi do ta jap për kandidatin ?
Izmi ZEKA: E them me përgjegjësi që z. Thaçi nuk është përzier në këtë proces demokratike. Është e drejtë e kuvendarëve e pastaj e këshillit të degës se kujt do ti jap besimin. Por një është e qartë që është krejt normale edhe për efikasitetin e degës por edhe të komunës me pas mbështetjen e të parit të partisë dhe qeverisë
“2LONLINE”: Kush e ka besimin e Thaçit , Ju, si kryetar aktual i degës, apo Qemajl Mustafa, si kryetar komune, pasi janë këta dy emra më të përfolur për ta marrë degën e PDK-së në udhëheqje ?
Izmi ZEKA: Nuk kemi të bëjmë këtu me çështje të vullnetit. Janë strukturat ato që vendosin. Është një thënie e një filozofi ku thuhet “Nëse je i shëmtuar nuk ka faj pasqyra por fytyra”
“2LONLINE”: Realisht Kush i ka numrat në kuvend.
Izmi ZEKA: Pyetje e rëndë. Kjo është relative. Unë kam bërë punë qe pesë vite në krye të degës së PDK-së dhe kam arrit të fitoj zgjedhjet me strukturat e partisë në vitet 2007 dhe 2009. Mjafton kjo për të treguar angazhimin tim por edhe të 13000 mijë anëtarëve të PDK-së. strukturë kjo që kanalizoj fitoren e PDK-së. Unë ndjehem i relaksuar në kuptimin e punës qa kanë bërë për 13 vite strukturat dhe anëtarët e thjesht të PDK-së. Atyre u takon merita për fitoren e PDK-së radhazi. për mua prioritet do të jenë ata që më punë dhe angazhim i dhanë kuptim filozofisë dhe dinamikës së punës për këto vite në PDK dhe treguan se dinë të qeverisin vendin. Trendi i zhvillimeve është i një dinamike të shpejt. komponimi i kuadrove të devotshëm të partisë dhe kyçja e një gjenerate tepër të respektueshme tani në PDK është garancioni më i mirë për fitoren e PDK-së në të ardhmen. Ardhjet e reja në PDK i kanë dhënë kuptim frymës së zhvillimit të saj dhe rritës drejt ndryshimeve që i kërkon koha dhe realiteti i ri i krijuar.
“2LONLINE”: A mendoni se do të rikonfirmoheni në pozitën e kreut të PDK-së së Gjilanit
Izmi ZEKA: Po.
“2LONLINE”: Nëse e fitoni besimin a do të ketë interferim në qeverisjen lokale për faktin se do të ballafaqoheni në këtë garë me kreun e komunës dhe se pothuajse shumë prej drejtorëve aktual kanë dështuar ta marrin besimin në bazë ?
Izmi ZEKA: Ne kem i punuar bashkërisht. Ani se koncepti i ndërtimit të shtetit është shumdimenzional dhe si i tillë i kalon premisat e viteve 2000 apo edhe 2007. Kemi treguar se qeverisja është për qytetarin e jo për individ të caktuar. Vetë trendi i kohës i donë ndryshimet. E sotmja nuk duhet të jetë si e djeshmja. Ne po ecim në qeverisje në Gjilan duke qenë shembull i mirë për qytetarin. Kapricat individuale për mua janë aspekti i mentalitetit komunist.
“2LONLINE”: Po nëse humbni, a do ti lëshoni rrugën Mustafës, sepse ai ka deklaruar shumë herë se ishit pengesë e qeverisjes së tij ?
Izmi ZEKA: Nuk ka humbës këtu. Do të jemi fitues të gjithë. Më së shumti fiton PDK-ja. Partitë janë të ndërtuar mbi bazën e demokracive perëndimore dhe këtu nuk ka vend për pashallarë. Unë i kuptoj të gjithë ata të cilët brenda ditës janë kapur ne maje të piramidës. Kjo është edhe hendikepi më i madh i tyre që ngaherë nuk e njohin edhe vetveten. Koha do ti zhvesh të gjitha. Për secilin ka vend në PDK
“2LONLINE”: A do të jetë Kuvendi i PDK-së, kuvend edhe i legalizimit të fraksioneve apo edhe i ndarjeve, kur kemi tani parasysh se sekretari i PDK-së, Jakup Krasniqi, nuk e ka përjashtuar mundësin e krijimit të një subjekti të ri ?
Izmi ZEKA: Demokracia i ka rrënjët te dualiteti i mendimit. E në këtë rast do të thosha se është i shëndetshëm diverziteti i mendimeve. E këndellë demokracinë e një partie. E thash në fillim dhe po e them prapë do të jetë një kuvend shembull në nivel Kosovë. Ne kemi një lider të pakontestueshëm dhe ai është Thaçi.
“2LONLINE”: Kah do të shkon PDK-ja e Gjilanit, përkatësisht ju me përkrahësit tuaj, po që se Kuvendi nuk do ta ketë rrjedhen e dëshiruar pë ju ?
Izmi ZEKA: Të gjitha rrugët qojnë në PDK. /2lonline/