Manifestimi kulturor “Flaka e Janarit 2022” ka vazhduar sot me një ekspozitë memoaresh dhe kujtimesh, e titulluar “Dhoma e Kadriut, Jusufit, Bardhoshit, Rexhepit e Nuhiut”, e përgatitur nga Vladrin Bajrami.
Fotografi, gjësende, veshmbathje e eksponate të tjera, të cilat heronjtë i kishin përdorur gjatë veprimtarisë dhe aktivitetit të tyre, deri në ditën e rënies heroike, janë ekspozuar në Muzeun Etnologjik të Gjilanit, ku përgjatë tërë kohës janë ekzekutuar këngë, të cilat i këndonte dikur Jusuf Gërvalla, derisa artisti Mehmetali Arifi, duke ekzekutuar në kitarë ka kënduar njërën nga këngët më të njohura të heroit.
Ekspozita është përcjellë edhe me një dokumentar kushtuar heronjve.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka thënë se kjo është një risi e “Flakës së Janarit” dhe ka falënderuar familjen Mala e Berisha, të cilat kanë sjellë një pjesë të eksponateve në një ekspozitë të përkohshme, ku dominojnë fotografi të bëra në shtëpitë e familjeve të heronjve e të cilat paraqesin edhe një pjesë të jetës dhe veprës të tyre e për të cilët tash e 31 vite organizohet ‘Flaka e Janarit’.
“Është e rëndësishme vizita në një ekspozitë e në një dhomë të tillë, ku pos pranisë fizike të rrobave e dorëshkrimeve të heronjve, bashkë me familjarët dhe qytetarët kemi një mundësi që të nderojmë veprën e tyre në janarin e këtij viti. Vepra dhe jeta e heronjve tanë duhet të jetë mënyra dhe rruga që duhet ndjekur të ardhmen e përgjegjësia e jonë si përfaqësues të institucioneve është veçanërisht e vështirë dhe e rëndë e në të njëjtën kohë edhe e rrit nivelin e përgjegjësisë kur kemi manifestime të tilla. Ata duhet kujtuar gjithmonë”, ka thënë Alban Hyseni, duke kërkuar që të merren frymëzime e mësime nga këta heronj.
Flaka e Janarit vazhdon me një ekspozitë të artit bashkëkohor ‘Rezistencë’, Peneli i Flakës, e cila do të mbahet të enjten më 20 janar me fillim në ora 19.00. /2LONLINE/