Shkuan në pauzë për t’iu rikthyer punimeve të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, por jo të gjithë anetarët e ketij organi legjislativ u kthyen dhe në mungesë të kuorumit, Kryesuesi i Kuvendit mbylli seancën.
Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, ka mbajtur të mërkurën seancë të jashtëzakonshme, e cila është inicuar nga PDK, me mbështetje edhe të partive opozitare LDK, AAK dhe Vatra dhe tre asamblistë të VV-së, për diskutimin për tejkalimin e gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar me buxhetin dhe financimin e projekteve kapitale dhe formimin e Këshillit të Ekspertëve Financiar.
Por, pas një debati polarizues pozitë-opozitë, pas pauzës, kur do të duhej të vazhdojë mbledhja sipas paralajmërimit, kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu, njoftoi për ndërprerjen e seancës në mungesë kuorumi, pasi të pranishëm në sallë mbetën 15 asambleistë, duke shtuar se mund të bëhet debat, por nuk mund të merren vendime.
Paraprakisht, Bujar Nevzati, shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së, pasi është ankuar për problemet teknike të transmetimit të seancave të Kuvendit Komunal, ka kritikuar drejtuesit e Komunës së Gjilanit për paftësi në realizim të 41 projekteve.
“Është e paparanueshme dhe shqetësuese për qytetarët kur shohin se qeverisja komunale po tregohet e paaftë për realizim të projekteve dhe të shfrytëzuimit të mjeteve të vitit 2024. Janë 41 projekte të planifikuar për këtë vit dhe asnjëri prej tyre nuk ka nisur dhe, për pasojë, Komuna po i humbë 58 milionë euro”, ka thënë Nevzati, teksa ka numëruar të gjitha projektet e parapara, që sipas tij, nuk kanë filluar ende.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se po bëhen tri vite pune me rezultate të mira, duke u karakterizuar nga sundimi i ligjit dhe pa asnjë rrethanë që ngjall dyshime për korrupsion.
“Janë bërë tri vite përpjekje për punë e rezultate të mira, në të mirë të qytetit tonë. Janë plot tri vite, në të cilat puna jonë është karakterizuar nga sundimi i ligjit dhe rendit, pa asnjë rrethanë që të ngjall dyshime për krim apo korrupsion, e lëre më ndonjë aktakuzë apo sfidë ligjore nga ekzekutivi.
Dallimi i parë dhe më i rëndësishëm mes të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes, është se dikur kishim shumë drejtorë e me shumë aktakuza, ndërsa tani kemi shumë drejtorë dhe asnjë aktakuzë të vetme. Megjithatë, ne nuk pretendojmë të krahasohemi me të kaluarën e errët të qeverisjes së zhytur në botën e krimit dhe të korrupsionit, sepse përfaqësojmë dhe angazhohemi për vlera të tjera”, tha Hyseni, teksa ka njoftuar se ka kërkuar sot nëpërmjet një shkrese nga ministri MAPL-së, Elbert Krasniqi, shpërbërjen e Kuvendit Komunal.
Shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu, ka thënë se Komuna e Gjilanit asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më të rëndë, duke akuzuar ekzekutivin e Komunës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për punësime familjare e dreka të shtrenjta.
“Në anën tjetër, është i pavërtetë konstatimi i tij që kinse po e pengon në punë Kuvendi Komunal”, tha ai, duke shtuar se kryetari i Komunës për çdo dështim mundohet të gjejë arsyetim, për të shtuar se Plani Zhvillimor Komunal është shkelja më e madhe që ka ndodhur.
Shefja e grupit të VV-së, Krenare Latifi Kqiku, tha se kemi obligim që të shtyjmë agjendë zhvillimore e jo ta rrënojmë atë.
“Vota kundër bartjes së mjeteve prej 2.5 milionë euro shkakton pasoja e dënim, e dënimin e bartin ata që kanë nevojë më së shumëti për to. Përveç bojkotit të opozitës në diskutime publike, ju i mbyllët derën Kornizës Afatmesme Buxhetore edhe në Kuvend”, tha ajo.
Nazim Gagica, shef i grupit të AAK-së, ka kritikuar kryetarin e Komunës për mosprezencën e tij në sallë pas fjalimit, teksa ka thënë se nuk është pro pikës së dytë formimin e Këshillit të Ekspertëve Financiarë.
“Ne jemi këtu për të marrë vendime dhe nuk mund t’ia kryejmë punët ekzekutivit. Sa i përket bllokadës, është propagandë që po i hidhet faji opozitës. AAK është e gatshme për ta votuar buxhetin edhe pse ju si ekzekutiv nuk jeni të interesuar”, është shprehur Gagica.
Përndryshe, në seancën e sotme kanë paraqitur qëndrimet e tyre edhe Ismajl Kurteshi (VV), Gentrit Murseli (LDK), Ardhmërie Jakupi Musliu (VV), Muhadin Haziri (LDK), Ekrem Kryeziu (PDK), e Gresa Avdiu (LDK). /2LONLINE/