Ministria e Punëve të Brendshme, ka filluar trajnimin e zyrtarëve të Njësisë së Informacionit të Pasagjerëve (NJIP), në kuadër të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) për prezantimin e sistemit “ATS-G”. Pjesëtarët e kësaj njësie po marrin përvojat dhe shkëmbejnë praktikat nga zyrtarët amerikanë që po përkrahet nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Siguri Nacionale (US DHS), Dogana dhe Siguria Kufitare e SHBA (US Customs and Border Protection) dhe Ambasada Amerikane në Republikën e Kosovës, konkretisht nga programi ICITAP.
Delegacioni në fjalë u mirëprit nga ministri i MPB-së, z. Xhelal Sveçla, i shoqëruar nga Zv. Ministri i MPB-së/Koordinator Nacional për MIK z. Blerim Gashani, znj. Kimberly Avery Riffe nga Programi ICITAP i Ambasadës së SHBA-së në RKS dhe stafi menaxherial i QKMK-së. Ministri potencoi se ky sistem do të rris kapacitetet e autoriteteve të cilat zbatojnë ligjin dhe QKMK–së për target, analizë dhe shkëmbim në kohë reale të informatave relevante për qëllim të parandalimit dhe luftimit të terrorizmit dhe formave tjera të krimit të organizuar si dhe krimeve të rënda dhe me këtë të ofrojë siguri në Republikën e Kosovës.
Gjithashtu ministri Sveçla falënderoi partnerët amerikanë për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen dhe funksionalizimin e NJIP-së për ofrimin e këtij trajnimi dhe njëkohësisht vlerësoi punën e zyrtarëve të NJIP, me ç ‘rast potencoi rëndësinë e funksionalizimit të plotë të NJIP dhe uroi për punë të mbarë gjatë këtij trajnimi. /2LONLINE/