Ministria e Punëve të Brendshme mbajti konferencë në kuadër të fushatës për legalizimin e armëve, më këtë rast u bë edhe dhënia e pëlqimeve për armët për qytetarët që kanë aplikuar në kuadër të procesit të legalizimit.
Me këtë rast zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Izmi Zeka, i cili njëherazi është Udhëheqës i Komisionit për Armë të Vogla dhe të Lehta, theksoi se më 3 dhjetor 2018, Ministri i Punëve të Brendshme nënshkroi një vendim për të hapur afatin kohor për legalizimin e armëve, i cili do të zgjaste 6 muaj, duke filluar më 17 dhjetor 2019 dhe duke përfunduar më 17 qershor 2019.
Ai tha se kjo iniciativë ofron mundësinë që qytetarët e Kosovës t’i legalizojnë armët nga kategoritë B, C dhe D, në një periudhë amnistie për posedimin e paligjshëm të armëve.
“Në 4 muajt e fundit, 718 qytetarë e kanë shfrytëzuar këtë mundësi dhe kanë parashtruar kërkesa për legalizim, 246 kanë marrë pëlqimin nga Ministria e Punëve të Brendshme, dhe sot unë do të dorëzojë personalisht 10 pëlqime”, theksoi zëvendësministri Zeka.
Në fund zëvendësministri Zeka sërish u bëri thirrje qytetarëve të tjerë që posedojnë një armë të paligjshme të ndjekin shembullin e tyre që kanë aplikuar. Ai tha se qëllimi i kësaj iniciative është t’u japë qytetarëve mundësinë për të zotëruar ligjërisht një armë sipas kushteve të Ligjit për Armët, i cili është i harmonizuar me Direktivën e Armëve të Zjarrit të Bashkimit Evropian.
Ndërsa Gazmend Hoxha nga Policia e Kosovës theksoi se Policia e Kosovës e vlerëson shumë këtë fushatë dhe është aktive në pranimin e aplikacione të qytetarëve.
“Deri më tani kjo fshatë ka shkuar jashtëzakonisht mirë dhe ka pasur interesim dhe duhen të motivohen qytetarët që të behën pjesë e këtij procesi. Ne besojmë se kjo do të kontribuojë në përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, në veçanti në uljen e krimeve në të cilat përdorën armët”, theksoi Hoxha.
Asistentja e Përfaqësues së Përhershme dhe Koordinatorja e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), znj. Valbona Bogujevci, vuri në dukje se Kontrolli i armëve të vogla dhe të lehta ka marrë përsëri vëmendje edhe në nivel global edhe në nivel rajonal.
“Dëshirojë të përgëzojë institucionet e Kosovës që ishin të parat në rajon që ndryshuan dhe miratuan strategjinë për armë të lehta dhe të vogla. Ajo tha se UNDP do të qëndrojë e përkushtuar që të përkrahi institucionet e Kosovës edhe më tutje në zbatimin e aktiviteteve”, theksoi Bogujevci.
Ajo vlerësoi fushatën për legalizimin e armëve dhe iu bashkëngjitë parafolësve për t’iu bërë thirrje qytetarëve të cilët kanë armë ilegale t’i bashkohen pjesës tjetër të qytetarëve që janë bërë pjesë e legalizimit të armëve.
Periudha e legalizimit është e hapur edhe për dy muaj, pas kësaj periudhe armët e paligjshme do të konfiskohen dhe dënimi për posedim ilegal të armëve mund të dënohet me gjobë deri në shtatë mijë e pesëqind (7.500) euro, ose me burgim deri në dhjete (10) vjet.