Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sot filloi punimet konferenca dy ditore “FSK dhe Partnerët’’ me pjesëmarrje të ambasadorëve dhe atasheve ushtarak të shteteve partnere.
Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj shprehu falënderim për miqtë ndërkombëtarë: ,, Ua kemi borxh të jemi partner me ju, sepse na keni ndihmuar në kohëra kritike që të jemi këtu ku jemi sot. Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në hapjen e punimeve të Konferencës së 8-të, të organizuar nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me temën ,,FSK dhe Partnerët’’.
Kryeministri me këtë rast tha; ,,Forca e Sigurisë së Kosovës reflekton të vërtetën e Kosovës dhe kjo e vërtetë është që të gjithë ne, çdo qytetar i këtij vendi, të ndjehet si në shtëpinë e tij, qoftë shqiptar, serb, turk, rom, ashkali, egjiptian, boshnjak’’.
“Sot, jemi në një institucion, që është shtëpia e të gjithëve. Aspirata jonë është që t’i bashkohemi familjes së Aleancës Veriatlantike dhe t’i kontribuojmë paqes”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se tranzicioni i Forcës së Sigurisë dhe mandati kushtetues i saj, nuk do të ndërrojë themelin e shtetit tonë dhe misionin e vizionin e shoqërisë sonë.
Nga ana e tij, ministri i FSK-së Rrustem Berisha në fjalën e hapjes së punimeve të konferencës, fillimisht falënderoj të gjithë partnerët e FSK-së për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme drejt arritjes së synimeve të Ministrisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ministri Berisha tha se Konferenca ,,FSK dhe Partnerët’’ ka për qëllim harmonizimin e aktiviteteve me partnerët, me synim të mbështetjes së nevojave të FSK-së si dhe koordinimin e përpjekjeve të përbashkëta në rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt integrimeve Euro-Atlantike.
,,Duke i paraqitur para jush kërkesat dhe nevojat tona, në mënyrë që ta shfrytëzojmë sa më racional angazhimin tonë në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, ne kemi për qëllim rritjen e ndërveprueshmërisë së FSK-së me ushtritë e vendeve partnere dhe atyre të NATO-së’’.
Gjithashtu, ministri Rrustem Berisha tha se gjatë kësaj konference, MFSK-ja do të prezantojë para atasheve ushtarak dhe diplomatëve, të arriturat, sfidat me te cilat presim të ballafaqohemi, nevojat dhe kërkesat për vazhdimin e mbështetjes nga partnerët edhe në të ardhmen.
Ministri Berisha, pasi përmendi disa prej të arriturave kryesore të institucionit, si rritja e besueshmërisë në veri të vendit, integrimi me sukses i komunitetet jo shumicë, barazia gjinore, bashkëpunim me Ekipin Këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s për MFSK/FSK (NALT) dhe vendet partnere, i numëroj disa prej synimeve për të ardhmen, sikurse anëtarësimi i plotë në iniciativat rajonale, qasje adekuate për vendosjen e kontakteve me vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovës, dhe partnerëve tjerë ndërkombëtar.
Pastaj, ministri Rrustem Berisha shpalosi synimet e shtetit në fushën e sigurisë: ,, Republika e Kosovës synon që të mos të jetë vetëm konsumues i sigurisë dhe paqes por të jemi edhe kontribuues pro aktiv i saj’’.
,,Ne si FSK kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që procesi i Transformimit të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese duke qenë të përkushtuar që pjesë e këtij procesi të jenë të gjitha komunitetet jo shumicë, në këtë rast dhe komuniteti serb’’. Duke theksuar se MFSK i ka realizuar të gjitha aktivitetet e parapara sipas planit të veprimit, ndërsa pjesën tjetër do ta realizojmë pas marrjes së vendimit për Transformim.
Në fund të fjalës së tij, ministri Rrustem Berisha tha se është i përkushtuar që edhe në të ardhmen të vazhdojë me përgatitjet e FSK-së për tranzicion, duke kërkuar edhe ndihmën dhe mbështetjen e vendeve partnere në këtë proces: ,, përkushtimi ynë është që edhe në të ardhmen të vazhdojmë me përgatitjen e FSK-së për tranzicion dhe kërkojmë mbështetjen dhe ndihmën e juaj qe edhe Lista Serbe te jetë pjesë e këtij procesi’’.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha: ,,Pa mbështetjen tuaj, Forca e Sigurisë së Kosovë nuk do të ishte këtu ku është sot. Në organizatën tonë kultivojmë tri principe, atë të udhëheqjes, marrëdhënies dhe miqësisë’’.
,,Ne sot këtu, së bashku me atashetë e vendeve mike kemi një ditë të gjatë dhe do ti koordinojmë të gjitha aktivitetet tona, kërkesat dhe nevojat për të ardhmen’’.
Kolonel Jeton Dreshaj, shef i Kabinetit të Komandantit të FSK-së paraqiti ekspozenë ,, FSK, kredibile, e përfaqësuar dhe e gatshme’’, me të cilin paraqiti disa prej të arriturave, bashkëpunimeve, sukseseve në shkollim edhe trajnime jashtë vendit, etj.
Gjatë sesionit të parë të konferencës, folën edhe Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci, drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Ralf Hoffmann, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Turqisë dhe Kroacisë.
Konferenca do të vazhdoj me sesionet e punës gjatë ditës së sotme, ndërsa nesër, pra në ditën e dytë, pjesëmarrësit e konferencën, ,,FSK dhe Partnerët’’ do vizitojnë operacionet përfundimtare të ushtrimit të përbashkët me KFOR-in ,, Shpata e Argjendtë 18’’ në kazermën ,, Evropianët e rinj’’ në Pomozotin.
Pjesëmarrës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, Ministri i FSK-së, z. Rrustem Berisha, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Rrahman Rama, zëvendësministrat Burim Ramadani dhe Agim Çeku, Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Salvatori Cuoci, si dhe ambasadorë të vendeve mike dhe partnere, atashetë ushtarakë të akredituar për Kosovë nga Shqipëria, Belgjika, Bullgaria, Kanada, Republika e Çekisë, Francës, Hungarisë, Italisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Turqisë, Mbretërisë së Bashkuar, SHBa-ve, përfaqësues nga Presidenca, Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s, KFOR-i, nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.