Zëvendësministri për FSK, Burim Ramadani, dhe Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama, kanë pritur në takim, Florence Magnin, Drejtoreshë për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Jashtme të Francës.
Zëvendësministri Ramadani falënderoi popullin dhe shtetin francez për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, me theks të veçantë në interesimin e përbashkët për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
“Thellimi i raporteve Kosovë-Francë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes garanton avancimin e konsolidimit të mëtejshëm të shtetit të Kosovës, po ashtu edhe stabilitetin dhe marrëdhëniet rajonale në këtë fushë”, tha zëvendësministri Ramadani.
Në takimin me diplomaten franceze, Ramadani theksoi se transicioni i FSK-së në mandat ushtarak dhe mbrojtës është proces legjitim dhe gradual, prej të cilit do të përfitojnë të gjithë në Kosovë dhe do të përfitojë edhe rajoni i Ballkanit.
“Qëllimi ynë nacional është anëtarësimi në NATO dhe BE. Institucionet e sigurisë të Kosovës, sikurse edhe FSK-ja, janë të themeluara dhe trajnuara në bazë të standardeve më të larta të vendeve demokratike dhe të NATO-s. Qysh tash, Kosova është e gatshme të kontribuojë në mbështetjen e paqes kudo nëpër botë, krah për krah me shtetet demokratike”, tha zëvendësministri Ramadani.
Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama, theksoi përkushtimin e FSK-së në zhvillimin dhe arritjen e kapaciteteve operacionale sipas standardeve të NATO-s, duke siguruar që FSK do të mbetet kredibile, multi-etnike dhe profesionale edhe në mandatin e ri.
“Procesi i transicionit të FSK-së bazohet në Planin Afat-Gjatë, i cili është plan transparent. Dyert tona janë të hapura për të gjithë, dhe bazuar në Kushtetutë dhe ligje ne jemi forcë multietnike, gjithëpërfshirëse dhe do të jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim”, tha Gjenerallejtënant Rama.
Drejtoresha për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Jashtme të Francës, znj. Florence Mangin, tha se; “Franca është mik i ngushtë i Kosovës dhe mbështet procesin legjitim të tranzicionit të FSK-së me qasjen tuaj profesionale dhe multietnike. Franca është e gatshëm për të thelluar bashkëpunimin bilateral”.