37 akademikë e profesorë shqiptarë kanë nënshkruar një letër të hapur, përmes së cilës dalin kundër akuzave që kreu i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Hivzi Islami, ka bërë ndaj akademikut Rexhep Qosja. Në një artikull të mes-shkurtit, Islami e cilësonte profesorin hipokrit, shpifës, intrigant e përçarës i kombit.
Akademikë si Muzafer Korkuti (kryetar i Akademisë së Shkencave), Jorgo Bulo, Arben Puto (historian), Rexhep Meidani (ish-president), Luan Omari, por edhe profesorë si Paskal Milo e Pëllumb Xhufi, i kanë cilësuar akuzat joparimore e model të mjerimit intelektual, ndërsa kanë vënë në dukje se Qosja është personalitet poliedrik.
Si pjesë e komunitetit shkencor dhe kulturor shqiptar, ata shprehin keqardhjen për degradimin e lirisë së shprehjes në një agresion të hapur verbal, me insinuata dhe akuza personale, që dalin nga korniza e një debati normal shkencor, citon Ballkanweb.
Më herët, në artikuj të ndryshëm, por edhe në një intervistë për “GSH” në dhjetor 2012, profesor Qosja ka vënë në pah faktin që në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës vazhdon të sundojë një klan i mëhallës dhe i një partie.
“Klani, çdo anëtar të pranuar në Akademi e vlerëson me kriterin përkatës: me kriterin e mëhallës dhe të Partisë – të Lidhjes së quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës, në të vërtetë ish-Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë në Kosovë!”, theksonte ai. Debati u hap pak ditë më parë, në një diskutim në parlamentin e Kosovës. Pas kësaj, profesorin e akuzuan se ka zgjedhur Josip Broz Titon anëtar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, gjë që miq dhe të njohur të Prof. Qosjes e mohojnë kategorikisht.