Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me pronarin e kompanisë AR. Katana, Muhamet Ajrullahu, kanë vënë sot gurthemelin e ndërtimit të tri shtëpive për familjet në nevojë, në fshatin Malishevë.
“Edhe tri shtëpi të reja nga “AR Katana” për familjet në nevojë. Faleminderit Muhamet Ajrullahun për humanitetin dhe solidaritetin i cili në çdo vit po e ndërton së paku një shtëpi në vitet e fundit. Numri i shtëpive të filluara këtë vetëm muajin e fundit është 27”, ka thënë kryetari Haziri pas vënies së guthemelit.
I pari i Gjilanit ka falënderuar donatorët për mbështetjen e madhe dhe që e kanë bërë shembull Gjilanin në Kosovë dhe rajon.
“Faleminderit të gjithë donatorëve që Gjilanin e kanë bërë shembullin më të mirë në Kosovë dhe rajon për mbështetje ndaj njerëzve pa kulm mbi kokë. Ne po shkojmë drejt mbylljes së plotë të problemeve të banimit dhe mandej do t’i trajtojmë në të ardhmen vetëm qiratë për banim social që janë 50 sosh”, ka theksuar Haziri.
Pronari i AR Katana, Muhamet Ajrullahu, është shprehur i lumtur që po e realizon premtimin e tij të dhënë në gala mbrëmje.
“Në Natën e Kadrit, sot jam i lumtur që po e fillojmë ndërtimin e tre shtëpive. Premtimin që e kam dhënë në Gala Mbrëmje për një shtëpi, ia kemi bashkangjitur edhe dy të tjera për familjet që janë në nevojë jashtëzakonisht të madhe. Është obligim moral, kombëtar dhe fetar që neve që na ka dhënë Zoti pasuri, ta ndajmë me të tjerët”, u shpreh Ajrullahu.