(2L ONLINE) – Shpresa e pasluftës kosovare për një të ardhme më të mirë nuk ka arritur të mbijetojë si e tillë në shoqërinë tonë. Përkundrazi ajo është djegur dhe rrezikon të shpjerë një të shumtën e shoqërisë sonë në depresion kolektiv. Ka Shumë njerëz, shumë familje, më mirë të themi një shtrese e tërë që njeh vetëm artin e të mbijetuarit dhe jo shijen e një jete normale pa brengën se si të sigurohet kafshata e së nesërmes!
Një e tillë është edhe familja Ukshini nga Zhegoci i Epërm. Kjo familje pasi kishte përjetuar trishtimin e përndjekjes nga shtëpia e tyre gjatë luftës së Kosovës, kishte marrë kurajon dhe ishte kthyer serish pas përfundimit të luftës në fshatin e tyre për të jetuar në shtëpinë e ndërtuar nga “Caritas” pasi të mëparshmen ua kishin djegur të tërën falangat serbe. Këtu fillon përpjekja e kësaj familje për të rimarrë veten, edhe pse të traumatizuar nga ajo që kishin përjetuar gjatë lufte dhe nga ajo çfarë kishin gjetur pasi ishin kthyer.
Shkatërrim dhe asgjë! Dhe jo gjithmonë përfundon me sukses edhe një përpjekje e madhe. Edhe për fajin e shtetit që nuk arriti kurrë të krijojë kushte për ta gjetur veten njerëzit në Kosovën e pasluftës. Për të jetuar në qytet duhet të kesh një punë apo biznes. Për të jetuar në katund duhet të kesh njerëz do me thënë fuqi punëtore!
E në rastin më të mirë kjo familje kishte dy burra që rropateshin për ndërtimin e një jete më të mirë. njëri, Qazimi babai që ishte në moshë të shtyer dhe djalit të Vetëm Hajrizit që ishte i sëmurë nga një sëmundje zemre dhe të cilit i ishte bere ndërhyrje kirurgjike në zemër që në moshë të re.
Tani kjo familje ka ngelur edhe pa Hajrizin shpresën e vetme. Ai ndërroi jetë para afro katër vitesh nga një gjakderdhje masive në tru pas përpjekjeve një ditore, për të rregulluar ujin për familjen e tij, në kushte nxehti përcëllues dhe i vetëm. Ai pas vete la gruan e tij me shtatë fëmijë të vegjël që tash më i vogëli ka tre vjet dhe vajza më e madhe tani ka pesëmbëdhjetë, si dhe babanë plak dhe gruan e tij po ashtu plakë.
Paramendojeni kjo strukturë duhet, të mbjell, korrë, kositë dhe të bëjë punët që pasojnë, të kujdeset për bagëtinë me të vetmin burrë në shtëpi që është plak dhe shumë i sëmurë e që vuan nga epilepsia, sheqeri, shtypja, zemra…
Ata jetojnë me një pension prej 65 eurosh që merr plaku e të cilit ashtu-ashtu i shkojnë të terat në barëra e nuk i dalin ndonjëherë si dhe nga ndihma sociale prej 80 eurosh që merr Sadberja, nëna e fëmijëve e veja e Hajrizit. E cila më parë kishte marrë njëqind euro por kushedi për teket e kujt i ishte shkurtuar në aq sa merr tani. Si dhe plaka që kishte marre po ashtu pension por që ka kohë që ia kanë ndërprerë.
Kjo familje herë pas herë ndihmohet edhe nga njerëz të vullnetit të mirë. Por a mjafton kjo? Jo. Dy pleq të sëmurë që u nevojiten shumë barna, shtatë fëmijë që nuk pyesin a ke ti a s’ke, por kanë dëshirat e tyre fëmijërore që zor se u plotësohen ndonjëherë dhe nevojat e tjera shkollore si dhe jeta e tërë familjes që heqë të zitë e ullirit për të ia dalë mbanë.
Të shikosh në sytë e fëmijëve të kësaj familje, nuk ka mundësi e të mos e vëresh se u mungon babai si dhe shumëçka që fëmijët tjerë i kanë. Edhe pse Kosova e sotme është e mbushur me të tillë!
/Xhelil ARIFI / 2L ONLINE/