Konfirmimi i variantit Omicron të koronavirusit shumë shpejt do të kryhet në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), konfirmojnë nga ky institut.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, lidhur me këtë çështje, IKSHPK-ja tha se në Kosovë pritet që të arrijnë kitet e testeve PCR, të cilat mund ta detektojnë variantin Omicron të koronavirusit.
Ndërkohë, IKSHPK-ja është duke dërguar mostra pozitive në Gjermani për konfirmimin e pranisë së variantit Omicron. Kosova është ende në pritje të këtyre rezultateve.
Omicron, variant që fillimisht u detektua në Afrikën e Jugut në muajin nëntor, besohet se ka shumë mutacione dhe mund të përhapet shumë shpejt.